Site icon Telegrafi

Qeveria e Malit të Zi nuk mori pjesë në festën e pavarësisë së Kosovës në Podgoricë? Reagon partia e Gjukanoviqit

Mediat në Podgoricë të Malit të Zi i ka kanë dhënë jehonë lajmit që zyrtarët e qeverisë në këtë shtet nga partitë politike malazeze nuk kanë marrë pjesë në shënimin e 16 vjetorit të pavarësisë së Kosovës organizuar nga ambasada e Kosovës në këtë shtet.

Për këtë ka reaguar partia e ish-presidentit të këtij shteti, Millo Gjukanoviq, DPS.

Aleksandra Vukoviq-Kuq, nënkryetare e DPS-së dhe deputete e Kuvendit të Malit të Zi ka deklaruar se fakti që asnjë nga zyrtarët më të lartë të shtetit të Malit të Zi nuk u paraqit në pritjen me rastin e 16 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, organizuar nga ambasada e këtij vendi në Podgoricë, është gafa e fundit diplomatike e qeverisë aktuale dhe shumicës parlamentare.

“”Me një veprim të tillë, përfaqësuesit e qeverisë treguan mungesë respekti për shtetin e Kosovës, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

Sipas saj, pasi “Bosnja e Hercegovina dërgoi dje një notë proteste në vendin tonë, ky skandal vazhdoi rrënimin e marrëdhënieve tradicionale të fqinjësisë së mirë të Malit të Zi me vendet e rajonit”.

Ajo ka shtuar se “po kërkojmë një përgjigje zyrtare nga MPJ përse qeveria e bojkotoi pritjen në Ambasadën e Republikës së Kosovës dhe nëse ky akt jo-diplomatik është në fakt çmimi që duhet të paguajë për mbështetjen që merr nga Andrija Mandiq”.

Ndryshe, Mandiq është kryetar i Kuvendit të Malit të Zi dhe vjen nga partitë serbe që njihen si të afërt me Aleksandar Vuçiq në Serbi.

Këtë çështje e ka ngritur edhe ish-kryeministri Dritan Abazoviq. Ai dje në Klan Kosova pyeti se a kanë qenë zyrtarët e qeverisë të Malit të Zi nga partitë malazeze në shënimin e përvjetorit të 16-të të pavarësisë së Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version