Site icon Telegrafi

Qentë e nuhasin gënjeshtarin

Nuk ishin hulumtuesit të parët që e zbuluan fuqinë e intuitës së qenit. Një tjetër studim i kohëve të fundit zbuloi se qentë e dinë dallimin në mes të shprehjeve të lumtura dhe të zemëruara të fytyrës së njeriut dhe dinë si të sillen në përputhje me to, edhe nëse i kuptojnë në mënyrë të kufizuar ndjenjat prapa këtyre shprehjeve.

Tani një studim i publikuar në revistën Animal Cognition shpjegon në detaje se si qentë e dinë kur dikush gënjen.

Për ta testuar këtë, studiuesit e udhëhequr nga Akiko Takaoka nga universiteti në qytetin japonez të Kyotos i kanë testuar 34 qen në tre raunde.

Në raundin e parë ata në mënyrë të emocionuar u treguan qenve se ku fshihet ushqimi, dhe kështu e fituan besimin e qenit. Por në raundin e dytë të njëjtit hulumtues i gënjyen qentë sepse e treguan enën e zbrazët.

Në raundin e tretë hulumtuesit përsëri e treguan enën me ushqim, por qentë nuk reaguan më, gjë që e tregon një nivel të caktuar të mosbesimit ose të paktën konfuzionit në lidhje me kuptimin e tregimit të vendit të ushqimit.

Për ta zbuluar saktësisht se çfarë ishte, studiuesit e sollën një hulumtues të ri të cilin qentë nuk e njohën. Ky person i ri e tregoi në mënyrë të emocionuar enën me ushqim dhe qentë sërish reaguan mirë.

“Inteligjenca sociale e qenit është më e zhvilluar sesa që kemi menduar,” tha Takaoka për BBC News, duke shtuar se kjo inteligjencë sociale “ ka evoluar në mënyrë selektive gjatë jetës së gjatë të qenit me njeriun.”

Kjo shpjegon se pse qentë janë kaq të gatshëm të besojnë me të parën. Ndryshe nga qentë e egër, qentë shtëpiakë pjesërisht mbështeten në njeriun dhe nga ai marrin informacion për mjedisin. Ata kërkojnë qëndrueshmëri në këtë informacion dhe në qoftë se bota tregohet e pabesë, ata mund të frikësohen ose të bëhen agresivë.

Kjo shpjegon se pse qentë pronarët e të cilëve janë kontradiktorë ose i “ngacmojnë”, shpesh kanë çrregullim të sjelljes.

Prandaj, studiuesit thonë: bëhuni të sinqertë me qenin dhe me siguri do t’ua kthejë me besnikëri dhe dashuri. /Telegrafi/

Exit mobile version