Telegrafi

Qëndrim Zyba thotë se Ballkani është gati për të shkruar historinë e futbollit kosovar

Ballkani do të pres Shkupin në kuadër të ndeshjes kthyese të play-offit të Ligës së Konferencës në “Fadil Vokrri”.

Ndeshja e parë ishte mbyllur 2-1 në të mirë të Ballkani, gjë që i jep përparësi kampionit të Kosovës në këtë përballje.

Mesfushori i Ballkanit, Qëndrim Zyba, këtë vetë ka lënë Prishtinën pas shumë vitesh, për tu kthyer në vendlindjen e tij dhe po del të jetë lëvizje e qëlluar, pasi ai mund të shkruajë historinë e klubit dhe për këtë është i vetëdijshëm.

“Jam kthyer në momentin kulminant te klubit tim ku e ka nisur karrierën. Jam në formë shumë të mirë dhe do të jap gjithçka nga vetja për Ballkanin. Është një ndjenjë shumë e mirë prej se jam kthyer dhe po jetoj një ëndërr”, ka thënë fillimisht Zyba për Telegrafin.

Njëri prej lojtarëve më të talentuar të futbollit tonë pret që ndeshja e radhës ndaj Shkupit do të jetë e vështirë, por sipas tij skuadra është gati për të kaluar tutje.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga KF Ballkani

“Një rezultat shumë i mirë nga ndeshja e parë, por ende nuk ka mbaruar asgjë. Tifozëve tanë ju premtojmë angazhim maksimal për ndeshjen e së enjtes, pasi duam ta bejmë historinë. Kemi një grup të lojtarëve shumë cilësorë dhe gjithmonë duhet të besosh që të arrish atë që dëshiron. Pra ne besojmë se do të arrijmë në grupe”, ka thënë Zyba për Telegrafin.

Tutje mesfushori ka kërkuar përkrahjen e të gjithë tifozëve për këtë ndeshje, pasi Ballkani përfaqëson futbollin e kosovar.

“Duhet përqendrim maksimal, pasi do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Për ta mbyllur sa më lehtë, patjetër që presim nga e gjithë Kosova mbështetje, pasi po e përfaqësojmë futbollin kosovar”, përfundoi Zyba.

Ndeshja mes Ballkanit dhe Shkupit, do të zhvillohet të enjten nga ora 21:00 në Prishtinë. /Telegrafi/