Bisedoi: Shaqir Foniqi
Po kush e ka zbuluar Qëndresën që të bëhet Top modele e dëgjuar?
Qëndresën e ka zbuluar tezja e saj, Kimete Berisha, e cila edhe vetë është marrë me art një kohë të gjatë, sidomos me aktrim.
Po, kujt ia dedikoni bukurinë?
Bukurinë ia dedikoj Zotit, por bukurinë e lindur mund të them se e kemi edhe trashëgim, është diçka gjenetike. Mund t’ju them se e tërë familja shquhen për bukuri natyrore dhe kjo më bën krenare, por edhe të lumtur dhe, mbase edhe të bukur. Mirëpo, bukuria pa mençuri duket shumë e zbehtë dhe e paqëndrueshme vetëm bukuria, nëse harmonizohen me dituri, mund t’i qëndrojë kohës.
Tek ju qysh në fëmijëri jeni shquar për shumë talent për disa fusha?
Po, është e vërtet. Qysh si fëmijë jam angazhuar në aktivitete të artit, duke udhëhequr një program për fëmijë në një TV lokal, pastaj kam qenë edhe moderatore, e së fundi edhe Top modele, ku synoj të formojë karrierë në këtë fushë të artit.
Po, them edhe njëherë të jesh e bukur, është privilegj, por ke edhe shumë sfida, sepse duhet ditur ta menaxhosh bukurinë, mos të jetë ajo vetëm çelës për të arritur diçka. Dua të them, bukuria nuk duhet të keqpërdoret, por të ruhet dhe të çmohet. Se, e bukura një ditë ik, dhe pastaj …vetëm një e treta e jetës mund të quhet e bukur, por jeta është më e gjatë, prandaj duhet kujdesur edhe për dy të tretat e jetës…Unë dua, që njerëzit të më mbajnë mend si vajzë e bukur dhe e sjellshme.
Deri ku shkojnë pretendimet tua në këtë fushë të artit?
Hahh, shkojnë deri në Hollywood, pse jo…do të provoj dhe të shohim. Për gjithçka njeriu duhet patur vetëbesim dhe dëshirë. Mua vetëbesimi nuk më ka munguar dhe kjo më është shpaguar. Vetë emri im, Qëndresa, më bën optimiste që të qëndrojë sigurt në këmbët e mia dhe personalitetin tim.
A mbani dietë, sepse jeni një top-model për të tjerat?
Po, si jo, femrës i duhet dieta, eleganca dhe higjiena. Bukuria a lindur duhet të ruhet dhe duhet të kultivohet, ajo mund të vyshket, poqese nuk kujdesesh për të, sepse edhe lulja lind e bukur, por nëse nuk kujdesesh, ajo vyshket dhe…një ditë thahet. Synimet e mia janë të qarta dhe unë po punoj që ato synime të realizohen.
Po në planin e dashurisë, si janë punët, apo ende është herët…?
Herët, madje shumë herët. Jam vetëm një gjimnaziste dhe aktualisht jam e preokupuar me karrierën time artistike, që synon të shpërthejë edhe kufijtë nacional. Jam e lumtur që kam mundësi dhe dhunti, por edhe përkrahje për një gjë të tillë. Pra, njëherë suksesi, pastaj të tjerat…sukseset më bëjnë të lumtur, kurse këtë lumturi shpesh e prishin pamjet e njerëzve të varfër, që po shtohen dita-ditës. Po të kisha mundësi nuk do ta leja askënd në varfëri…
A mendoni se te bukurat, janë pak fatkeqe?
Janë fatlume, do te thosha unë. Pse, kush është ankuar që është e bukur…çka do të bënte bota pa të bukurat…e bukua mund çdo gjë…hahah.
Ndonëse jeni e bukur, dukeni shumë modeste?
Modestia është virtyt, krenaria mbi të gjitha. Unë, do të thosha jam e dinjitetshme, krenare, por jo mendjemadhe.
E keni provokuar talentin edhe në ndonjë gjini tjetër të artit?
Po, së fundi kam luajtur edhe në një film të metrazhit të shkurtë “Pulsi” dhe po pres të emetohet e të vlerësohet…
Porosia yte për femrat e bukura?
Të mbesin të bukura, të sjellshme, të moralshme dhe të dinjitetshme. Mos të jenë lakmitare dhe mos të bien, pre, e interesave meskine. Le të jenë vetja e tyre, e jo t’i dirigjojë dikush tjetër, se nuk ia vlen…Bukuria, ka vlerë vetëm nëse nuk përbaltet, mu sikur diamanti.
Faleminderit Qëndresa, Esa!
Faleminderit edhe nga ju që jeni kujdesur për mua.
/Telegrafi/