Telegrafi

Qemail Elshani: Unë dhe Behar Maliqi merituam ftesë nga Përfaqësuesja e Kosovës

Mesfushori Qemail Elshani ka thënë të martën për “Epokën e re” se ai dhe Behar Maliqi e kanë merituar një ftesë nga përzgjedhësi Muharrem Sahiti për ndeshjen miqësore ndaj Azerbajxhanit.

Nga skuadra e Feronikelit janë ftuar portieri Faton Maloku, mbrojtësi Ahmet Haliti dhe sulmuesi Mendurim Hoti.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të zhvillojë ndeshje miqësore me Azerbajxhanin në Antalia më 2 shkurt. Në listën e përfaqësueses për këtë ndeshje trajneri i përkohshëm Muharrem Sahiti i ka ftuar tre futbollistë nga skuadra e Feronikelit: Ahmet Halitin, Mendurim Hotin dhe Faton Malokun, por mesfushori i njohur Qemail Elshani është i bindur se e kanë merituar të janë edhe ai dhe Behar Maliqi.

“Duke e pasur bashkëlojtar në disa vite Behar Maliqin, besoj se ai është dashur të ftohet për faktin se i ka dhënë shumë futbollit të Kosovës si me karakterin e tij në fushë, po ashtu edhe me personalitet jashtë fushës. Ndërsa sa i përket vetes, në tre vjetët e fundit kam fituar Kupën e Kosovës dhe kam suksese në vazhdimësi, por jam i pajtimit se, nëse përzgjedhja është korrekte, ‘pa intervenime’, atëherë me mbetet vetëm të punoj dhe të arrij të tjera suksese”, ka thënë Elshani për “Epokën e re”.

Më pas mesfushori i dalluar i skuadrës së Feronikelit ka thënë se, nëse fitohet kjo ndeshje, do të jetë një alternativë e mirë që shtabi teknik mund të ftojë futbollistë edhe për ndeshjet tjera në të ardhmen.

“Kjo miqësore që do të luhet më 2 shkurt duhet të shërbejë vetëm për gjëra pozitive. Nëse humbasim nuk do të thotë se ky është kualiteti i Superligës por, nëse fitojmë, do të jetë një alternativë më shumë për shtabin teknik dhe federatën”, ka deklaruar ai.