Site icon Telegrafi

Punimet për restaurimin e Muzeut të Muzikës në Gjakovë kanë hyrë në fazën përfundimtare

Në gusht të vitit 2023, objekti i Muzeut të Muzikës në Gjakovë që ndryshe njihet si ‘Tabhane’ ishte përfshirë nga flakët, duke shkaktuar dëme materiale në këtë objekt.

Pas këtij incidenti kishte reaguar edhe MKRS e cila kishte potencuar që ringritja e kësaj ndërtese tradicionale është realizuar para mbi një dekade me fonde të MKRS-së, si pronë publike e Komunës së Gjakovës.

Lidhur me gjendjen dhe evitimin e rreziqeve nga kanosjet evidente të kësaj ndërtese me status “Aset i trashëgimisë kulturore në mbrojtje”, në muajin prill 2023, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore (ITK) ka realizuar inspektimin dhe ka dhënë rekomandimet për masat që duhet të ndërmerren nga institucionet përgjegjëse.

Ndërsa tani rreth dy vite pas dëmtimeve të pësuara nga zjarri, mësohet se faza e punimeve për rregullimin e dëmevë të pësuara nga ky objekt i rëndësishëm i jetës kulturore, kanë hyrë në fazën përfundimtare.

Bëhet e ditur se punimet për restaurimin e këtij objekti kanë filluar në gusht të vitit 2024, dhe janë paraparë të përfundojnë prej një afati 10 mujor, dhe kostoja për punimet që po realizohen në Muzeun e Muzikës kap vlerën e rreth 382 mijë eurove, dhe përmes këtyre punimeve që po kryhen në këtë objekt synohen që të rikthehen vlerat kulturore dhe historike të këtij objekti të rëndësishëm. /Telegrafi/

Exit mobile version