Rruga “Xhemajl Kada” në Pejë, tash e disa kohë është në gjendje të rënduar, për shkak të uzurpimeve të pronave përgjatë saj.
Komuna e Pejës ka deklaruar se punimet për rehabilitimin e kësaj rruge janë vonuar pikërisht për këtë arsye, por gjithashtu është premtuar se shumë shpejt do të përfundojnë.
Drejtori i Shërbimeve Publike të Komunës së Pejës, Agron Nikçi, në një intervistë për Telegrafin ka thënë se vonesat kanë ardhur si pasojë e disa uzurpimeve, por tashmë rruga është në fazën përfundimtare të punimeve.
“Procesi është ndaluar për shkak të uzurpimeve, por ne kemi kryer rrënimin e të gjitha atyre pjesëve që kanë qenë të uzurpuara, me qëllim që rruga të zgjerohet dhe të marrë pamjen e saj të plotë. Kemi ndjekur procedurat ligjore dhe kemi disa konteste që janë në proces zgjidhjeje. Sapo të zgjidhen, kemi filluar me zhvendosjen e shtyllave elektrike dhe punimet për rehabilitimin do të vazhdojnë sa më shpejt. E dimë që është një rrugë shumë e frekuentuar, veçanërisht për shkak të shkollës që ndodhet aty, dhe besojmë se do të përfundojë së shpejti”, ka thënë Nikçi.
Vlen të theksohet se kjo rrugë është ndër më të frekuentuarat në qytetin e Pejës, për shkak se aty gjendet edhe shkolla “Xhemajl Kada”, e cila e bën këtë zonë edhe më të rëndësishme për komunitetin lokal. /Telegrafi/