Një qytetar nga Kamenica ka ngritur alarmin për gjendjen e rëndë dhe të rrezikshme të rrugës në fshatin Dajkoc, pas kryerjes së punimeve për pastrimin e lumit në atë zonë.
Ai ka dërguar një video në adresë të Telegrafit ku tregon se rruga nuk është pajisur me mbrojtëse anësore dhe nuk janë marrë masa për siguri, duke theksuar rrezikun e madh që paraqet kjo situatë për përdoruesit e rrugës, sidomos gjatë dimrit.
“Pastrimi i lumit është kryer në formën më të papërgjegjshme të mundshme. Nuk ka mbrojtëse anësore, asnjë masë sigurie. Me borën e parë, kjo rrugë do të bëhet shkak për tragjedi,” tha qytetari, duke apeluar për ndërhyrje të menjëhershme.
Ai gjithashtu kërkoi që ky shqetësim të trajtohet nga institucionet përkatëse dhe të përcillet në mediat lokale për të ndërgjegjësuar autoritetet dhe për të parandaluar aksidente të mundshme.
Gjendja e infrastrukturës rrugore mbetet një sfidë e vazhdueshme në shumë komuna të Kosovës, ndërsa banorët kërkojnë një reagim më të shpejtë dhe të përgjegjshëm nga autoritetet lokale për të siguruar kushte të sigurta për lëvizjen e qytetarëve.
Ndryshe, Telegrafi ka adresuar kërkesën e qytetarit në komunë dhe do të iu mbajë të informuar për detaje të tjera. /Telegrafi/