Punëtorët e ndërmarrjes publike “Trepça” mbrëmë kanë punuar për të përgatitur materiale të nevojshme për sanimin e dëmit të shkaktuar nga shpërthimi në kanalin Ibër-Lepenc.
Mbrëmë ata kanë realizuar prerje, saldime dhe shpime të pllakave metalike për adaptimin e një strukture kalimi metalike, shkruan Telegrafi.
Sipas njoftimit, kjo është bërë me kërkesë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Ekonomisë.
“Mesnatën e mbrëmshme, sipas kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe Ministrisë së Ekonomisë (ME), punëtorët e Ndërmarrjes Trepça Sh.A., Njësia e Pajisjeve të Procesit “FPP”, kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm material dhe operativ”, thuhet në njoftim.
Ndërmarrja publike “Trepça” e ka falënderuar Njësinë e Paisjeve të Procesit “FPP”, e cila është mobilizuar dhe e kanë kryer punën me efikasitet të lartë, duke vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet e saj për të kontribouar në tejkalimin e kësaj situate. /Telegrafi/