Afro 300 punëtorë të ndërmarrjes publike lokale “Tregu” në Gjilan kanë hyrë në grevë që nga e hëna dhe po vazhdojnë ende, me kërkesën për rritje të pagave.
Në seancën e Kuvendit Komunal të mbajtur sot në Gjilan, kryetari Alban Hyseni, ka njoftuar se ka ndarë 180 mijë euro për punëtorët e tregut.
“Për punëtorët e tregut të cilët, kanë bërë dhe janë ende në grevë dhe të njëtit kanë kërkuar nga unë që t’iu rrisë pagat, gjë për të cilën iu kam dhënë përgjigjë pozitive qysh herët, për të cilën jam zotuar dhe të cilën po e përmbushim sot, mandej çështja është tek ju”, tha ai.
Ai thekson se me këtë buxhet janë paraparë që pagat e tyre të rriten me vlerë prej 70 euro.
“180 mijë euro janë planifikuar që pagat e tyre të rriten me vlerën prej mbi 70 euro, me crast barazohen me punëtorët e tjerë që punojnë me kontrat e rregullta, përmes Drejtorisë Komunale të Arsimit”, theksoi Hyseni.
Këta punonjës shërbimet e tyre i ofrojnë nëpërmjet ndërmjarrjes publike “Tregu”, e cila është e kontraktuar nga Komuna.
Ndryshe, paga mujore e punëtorëve të ndërmarrjes “Tregu” është 330 euro, e kërkesat e tyre janë që ajo të bëhet 420 euro./Telegrafi/