DokuFest vazhdon me shfaqjen e filmave të hënën mbrëma në DokuKino. Në programin e quajtur DokuMondays sonte shfaqet filmi “The Gig Is Up” i regjisores Shannon Walsh.
Ky dokumentar i fuqishëm, sipas njoftimit të DokuFest shpalos realitetin e një force pune që po ndahet gjithnjë e më shumë.
“Nga dërgimi i ushqimit dhe drejtimi i makinave me shërbime të ndarjes së udhëtimit, deri te etiketimi i imazheve për inteligjencën artificiale, miliona njerëz në mbarë botën po gjejnë punë online, detyrë pas detyre. Ekonomia e punëve afatshkurtra globalisht vlen mbi 5 trilionë dollarë, dhe po rritet. Dhe megjithatë historitë e punëtorëve prapa këtij revolucioni teknologjik janë neglizhuar shumë. Kush janë njerëzit në këtë vend pune në hije? The Gig Is Up sjell në dritë historitë e tyre”, shkruan në përshkrimin e shkurtër të këtij dokumentari, raporton Telegrafi.
Madje aty thuhet se dokumentari shpalos se si magjia e teknologjisë mund të mos jetë e tillë.
“Të joshur nga premtimi për orar fleksibil pune, pavarësi, dhe kontroll të kohës e parave, punëtorët nga mbarë bota kanë gjetur një realitet krejt ndryshe. Kushtet e punës janë shpesh të rrezikshme, pagesa shpesh ndryshon pa njoftim, dhe punëtorët mund të pushohen efektivisht përmes çaktivizimit apo vlerësimit të keq. Përmes një kaste tërheqëse globale të personazheve, The Gig Is Up shpalos se si magjia e teknologjisë e cila na shitet ne mund të mos jetë fare magjike”, thuhet në përshkrimin e filmit.
“The Gig Is Up” shfaqet sonte në DokuKino nga ora 20:00. /Telegrafi/