Telegrafi

Publikohet videoja e agjentëve serb që po spiunonin pjesëtarët e opozitës ruse gjatë qëndrimit në Beograd

Avokati rus Dimitri Zahvatov, pjesëmarrës në një seminar të organizuar nga opozita ruse në Beograd, ka thënë se ai dhe kolegët e tij ishin vëzhguar gjatë qëndrimit të tyre në kryeqytetin serb në disa vende të ndryshme, për disa ditë me radhë.

Informatën se shtetasit rusë janë vëzhguar dhe përgjuar gjatë qëndrimit të tyre në Beograd, në një intervistë për median serbe Nova, fillimisht e ka bërë të ditur opozitari rus Vladimir Kara-Murza.

Historia e përgjimit mori një epilog të diskutueshëm, duke pasur parasysh se më vonë u zbulua se ministri i Punëve të Brendshme, Aleksandër Vulin udhëtoi për në Moskë, vetëm dy ditë pas mbledhjes së opozitarëve rusë në Beograd, për t’ia dorëzuar transkriptet e bisedave të tyre sekretarit të Këshillit rus të Sigurisë, Nikolai Patrushev.

Rezultati i takimit të përmendur ishte arrestimi i bashkëorganizatorit të tubimit në Beograd dhe opozitarit rus Andrei Pivovarov, i cili u arrestua dy javë pas qëndrimit të Vulinit në Moskë.

Pas publikimit të këtij rrëfimi, avokati Dimitri Zahvatov në detaje [shiko Foto/Video] ka treguar si janë ndjekur nga persona të panjohur për tre ditë me radhë.

Zahvatov ka dorëzuar në Nova, foto dhe video të personave që ai pretendon se qëndrojnë pas përcjelljes së tij dhe kolegëve gjatë qëndrimit të tyre në Serbi. Pas disa verifikimeve shtesë, është zbuluar se këta ishin pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të punësuar në Shërbimin për Metoda të Veçanta Hetimore.

Lexo po ashtu Përgjimi i opozitës ruse në Beograd, Kara-Murza për Washington Post: Vladimir Putin tashmë ka partner regjimin e Serbisë

Dëshmia e avokatit Zahvatov

Në pranverën e vitit 2021, miqtë e mi më ftuan në Beograd, ku u mbajt një tubim kushtuar vetëqeverisjes lokale në Rusi. Më ofruan të mbaj një leksion për legjislacionin për kundërvajtjet administrative. U pajtova dhe mbërrita në Beograd më 7 maj 2021. Një pjesë e ngjarjes, në të cilën mora pjesë, u mbajt në hotelin Falkersteiner nga 8 deri më 11 maj 2021. Në mbrëmjen e 8 majit, pjesëmarrësit e manifestimit shkuan në qendër të Beogradit për darkë dhe vizitë.

Ishim në restorantin Vuk në rrugën “Vuk Karaxhiq”. Një orë pasi filloi darka, vura re një burrë dhe një grua të ulur në tavolinën ngjitur përballë meje. Gjatë dy orëve të ardhshme, aq sa kaluan në restorant, porositën vetëm një çaj dhe Coca Cola. Vajza porositi ëmbëlsirë. Asnjëri prej tyre nuk pinte alkool.

Më tërhoqën vëmendjen sepse ishte ditë e shtunë dhe “shoqërimi” i tyre nuk dukej aspak si një punë apo një takim tjetër. Ata nuk flisnin shumë, por na shikonin me kujdes gjatë gjithë kohës.

Darka mbaroi dhe grupi ynë u shpërnda. Një pjesë e grupit shkoi në Kalemegdan dhe disa shkuan në pazar në kërkim për të blerë rroba më të trasha, pasi tashmë po errësohej dhe po bëhej më ftohtë. Ne po ecnim përgjatë rrugës “Knez Mihailova” në kërkim të një dyqani ku më në fund mund të blinim disa rroba më të trasha dhe shpejt vura re një djalë të ri që ishte ulur pas nesh me një vajzë në një restorant. E vura re nga xhinset që kishte veshur.

Më pas ai shtoi se kanë shkuar në një dyqan në rrugën “Knez Mihailova” dhe pasi ka dalë prej tij ka vërejtur, siç thotë djali me xhinse ngjyre hiri, në shoqërinë e një burri tjetër me syze, duke qëndruar para dyqanit të përmendur.

Në duart e këtij të fundit më ra në sy një toki-voki i vogël nga e cila dilte teli i kufjeve. E zhvendosi nga një xhep në tjetrin. Kështu e kuptova se po na shikonin. Kolegët e mi ishin ende në dyqan në atë kohë dhe unë po i fotografoja në mënyrë diskrete këta dy burra.

Shqetësimin tim e ndava me kolegët e mi, të cilët më mbështetën në idenë që të vazhdoja të kontrolloja dyshimet e mia se po na ndiqnin. U nisëm drejt Kalemegdanit, gjatë rrugës u ndalëm pranë dyqaneve të vogla me vitrina të mëdha nëpër të cilat mund të vëzhgonim se çfarë po ndodhte në rrugë, kështu që pamë se dy burrat e përmendur ende po na ndiqnin me këmbëngulje.

Në një situatë ku ne do të ndaheshim, njëri do të shkonte pak më larg dhe tjetri më pranë nesh. Për të kontrolluar përfundimisht dyshimet tona, u kthyem në një rrugicë të ngushtë që të çonte në Parkun e Studenteve. Rruga ishte pothuajse e shkretë dhe ideale për të parë nëse ishim nën vëzhgim. Pasi kaluam në atë rrugicë dhe pasi morëm kthesën, pritëm gjysmë minute, e pastaj ktheheshim dhe u nisëm sërish drejt rrugës “Knez Mihailova” dhe “burri me syze”, që na kishte ndjekur më parë, erdhi pas nesh. U bë e qartë se ata po na ndiqnin.

Pjesën tjetër të grupit, i cili tashmë ndodhej afër Kalemegdanit, e paralajmërova për zbulimin tonë dhe u pajtuam që të takohemi afër Kalasë së Beogradit. Derisa po ecnim pranë Kalemegdanit, na ndiqnin vazhdimisht një vajzë, një burrë me syze dhe një djalë me xhinse.

Për shembull, për të mbetur i padukshëm, burri me syze do të hiqte ose do të vishte përsëri një xhaketë të bardhë ndërsa vajza, për shembull, ecte me njërin prej tyre, pastaj me tjetrën dhe kështu me radhë.

Duke pasur parasysh se afër kalasë ishte aq errësirë, saqë mund të na ndiqnin dhe të na spiunonin lehtësisht, u bindëm se, duke na ndjekur, e kuptuan se ne nuk përbënim asnjë kërcënim.

Lexo po ashtu Politikani rus Kara-Murza: Është trishtuese se si qeveria aktuale në Serbi është në shërbim të Putinit dhe Patrushevit

Monitorimi vazhdoi të nesërmen – këtë herë në lumenjtë Sava dhe Danub

Zahvatov tha se të nesërmen, më 9 maj, ai përsëri vërejti se dy persona të panjohur po i ndiqnin.

“Ne morëm me qira një turne me varkë në lumet Sava dhe Danub. Ma murr mendja se vëzhgimi do të vazhdonte dhe pyesja veten se në çfarë momenti do t’i vëmë re përsëri. Pasi u larguam nga porti, pas anijes, në një distancë rreth 200 metra, na ndoqi një varkë e vogël me dy burra, njëri prej të cilëve, për mendimin tim, është i njëjti burrë me syzet nga fillimi i kësaj historie”, shpjegoi ai.

Të njëjtët persona janë parë në kalanë e Zemunit

Zahvatov thekson se të njëjtit persona u shfaqën të nesërmen, më 10 maj, gjatë një shëtitje përgjatë Kalasë së Zemunit.

Ne thirrëm një taksi për në ‘Gardosh Bljanska’ dhe zbritëm në rrugën ‘Grobljanska’. Duke zbritur nga taksia, pashë një golf Volksëagen ngjyrë argjendi që kalonte pranë nesh. Përmes xhamit të makinës pashë dhe arrita të dalloja të njëjtët dy burra që na ndiqnin ditën e parë. Pak më vonë, Burri me syze vazhdoi në varrezat e Zemunit. Ai ishte aty dhe vazhdimisht lëvizte nga një stol në tjetrin. Arrita të kap siluetën e tij me një aparat fotografik.

Pas disa kohësh vendosa, për çdo rast, të gjej dhe fotografoj makinën në të cilën lëviznin këta persona. E gjeta të parkuar në fund të rrugës ‘Grobljanska’. Pas timonit të makinës ishte ulur një djalë që natën e parë kishte veshur xhinse gri.

Kemi kaluar pak kohë në një kafe pranë kullës, pas së cilës jemi drejtuar në argjinaturë, duke parë këta njerëz që na ndiqnin/

Zahvatov: Më duhej t’u afrohesha atyre

Zahvatov tregon se nga Rusia udhëton rrallë dhe se askush jashtë vendit nuk e ka ndjekur ndonjëherë, ndaj nuk ka mundur të përmbahet pa iu afruar personave që e kanë ndjekur.

Kurioziteti nuk më la. I ulur në një kafe në kala, prisja që njeriu me syze të zinte pozicionin e të na shikonte. Kur ai u ul në tavolinën ngjitur, unë shkova drejt tij. Në anglisht u përpoqa t’i shpjegoja se e di se kush është, se ne nuk jemi armiq të vendit të tij, se kemi vërejtur grupin e tyre të vëzhgimit tre ditë më parë, se nuk kemi asgjë për t’u fshehur prej tyre, duke i kërkuar të ndalojnë këtë shfaqje.

Thashë që, nëse është i interesuar të mësojë diçka, ai dhe kolegët e tij të ulen në tavolinën tonë dhe të dëgjojnë lirshëm se për çfarë po flasim. Ai kuptonte gjithçka, por bëri sikur nuk më kuptonte dhe nuk fliste anglisht. Unë qesha me këtë, sepse ishte shumë e çuditshme për mua që
informatori nuk dinte apo fliste anglisht.

Lexo po ashtu Skandali i përgjimit të opozitës ruse në Beograd, nënshtrim i sektorit të sigurisë së Serbisë ndaj Rusisë

“Mirë”, thashë.

Nxora celularin dhe përktheva gjithçka në serbisht dhe i tregova tekstin e përkthimit. Në atë moment i ra zilja e telefonit, ai u përgjigj dhe unë arrita të dëgjoj zërin e emocionuar të bashkëbiseduesit nga ana tjetër, i cili padyshim pa gjithçka dhe kërkoi shpjegime se çfarë po ndodhte. Kuptova se ishte kolegu i tij nga grupi që na shoqëroi, sepse, megjithëse serbishtja dhe rusishtja janë të ndryshme, ato janë ende sllave dhe fjalët e thjeshta kuptohen pa përkthyes.

Në përgjigje të bashkëbiseduesit të tij, ky njeri tha “Nuk e kuptoj” [në gjuhën ukrainase, kjo frazë tingëllon njësoj si në serbisht].

Interpretimi i përgjithshëm i kontekstit të bisedës së tyre dukej diçka si kjo: “Ai m’u afrua, por nuk e kuptoj se çfarë kërkon nga unë”.

I thashë lamtumirë dhe e ftova edhe një herë të bashkohej me tryezën tonë. Pas pak, nuk i vura re ata njerëz, edhe pse u ngrita disa herë nga tavolina për t’i gjetur. Ata padyshim e kuptuan që vëzhgimi i tyre ishte zbuluar dhe u tërhoqën. /Telegrafi/