Telegrafi

Publikohen pamjet e momentit të përplasjes së dy trenave në Greqi

Disa pamje të publikuara nga mediat e huaja thuhet se tregojnë momentin tronditës kur një tren i pasagjerëve dhe një i mallrave u përplasën në Greqi, duke vrarë dhe plagosur dhjetëra njerëz.

Sipas asaj që shihet në video, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, treni komercial që lëvizte për në Larisa dhe treni i pasagjerëve që vinte nga Athina janë në të njëjtën linjë, duke lëvizur me shpejtësi 166 km/h – dhe të cilët nuk mund të shmangnin përplasjen.

Duke kërkuar falje në fazën e hetimeve paraprake, zyrtari kryesor i Larissa-s, i arrestuar, dyshohet se ka pranuar gabimin e tij fatal dhe ia ka atribuuar “kohës së keqe”.

Sipas të dhënave zyrtare të orës 18:45, të paktën 38 persona kanë humbur jetën në tragjedinë në Tempi nga përplasja e trenit të pasagjerëve në linjën Athinë-Selanik dhe trenit tregtar nga Selaniku.

Në trenin e pasagjerëve ndodheshin 341 pasagjerë, si dhe 13 staf të tjerë – gjithsej 354 persona. Në trenin e mallrave ishin dy persona.

Ndërkohë të mbijetuarit kanë treguar për një “makth prej 10 sekondash” ndërsa vagoni i tyre i trenit u përmbys dhe u përfshi në flakë në një përplasje në Greqinë Qendrore.

“Ne kemi dëgjuar një zhurmë të madhe”, ka thënë pasagjeri 28-vjeçar Stergios Minenis.

“… Kishte panik. Kabllot, zjarri. Zjarri ishte i menjëhershëm. Zjarri ishte në të djathtë dhe në të majtë”, citohet të ketë thënë Minenis.

“Për 10, 15 sekonda ishte kaos. Zjarre, kabllo që vareshin, dritaret e thyera, njerëzit që bërtisnin, njerëz të bllokuar”. /Telegrafi/