Adelina Rexhepi që është psikologe dhe njëherësh drejtoreshë e Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, përmes një interviste në telegraf u ka bërë thirrje të gjithë prindërve t’i parandalojnë lojërat e platformës “Roblox” të cilat sipas janë të rrezikshme dhe shkaktojnë agresivitet dhe nxitje për dukuri të tjera negative.
Ajo ka thënë se është për të ardhur keq se çfarë po ndodh me përdorimin e teknologjisë nga moshat e hershme.
“Fëmijët po përdorin lojëra siç janë “Roblox” dhe lodra të tjera të cilat ndikojnë negativisht në mirëqenien e tyre. Pastaj ndikon në gjendjen e tyre psikologjike, duke shkaktuar agresivitet, sjellje asociale dhe përdorimin e mjeteve jo të duhura për moshën e tyre. Kështu që unë i bëj apel te të gjithë prindërit që të kenë kujdes dhe të monitorojnë se çfarë fëmijët janë duke luajtur nëpër telefon, andaj sa më pak duhet t’i lejojmë fëmijët që të përdorin këto lojëra”, ka thënë Rexhepi.
Ajo ka bërë me dije se fëmijët janë e ardhmja e vendit, andaj duhet të angazhohen edhe institucionet, por edhe prindërit në veçanti.
“Mund të parandalohet sepse jo gjithçka është luks, andaj teknologjia është duke i shkatërruar fëmijët dhe të ardhmen tonë. Po shpresoj që së shpejti duhet të merremi me këtë çështje sepse kemi pasur raste kur fëmijët prej rrjeteve të “tiktak”dhe lojërave të tjera kanë shkaktuar lëndime, andaj edhe trajtimi i tyre pastaj është shumë i rëndë”, ka thënë Rexhepi. /Telegrafi/