Paraqitjet e Alessandro Florenzi duket se kanë bindur drejtuesit e klubit të Paris Saint Germain të ushtrojnë të drejtën e blerjes së kartonit të futbollistit, i cili aktualisht është i huazuar nga klubi i Romës.
Mbrojtësi i djathtë italian ka qenë fantastik këtë edicion me parisienët, duke luajtur në të gjitha takimet.
Italiani nuk ishte në planet e trajnerit të Romës, Paulo Fonseca dhe Giallorosët vendosën për huazimin e tij.
29-vjeçari, i cili është kthyer në një lojtar të rëndësishëm për mbrojtjen e parisienëve duke e ndihmuar skuadrën edhe në sulm, pasi në 16 aktivizime ka realizuar edhe dy gola, duket se do ta vazhdojë karrierën në Ligue 1.
Klubi i presidentit Al-Khelaifi do t’i paguajë Romës shumën e tetë milionë eurove për ta blerë përfundimisht kartonin e mbrojtësit.
Interesim për lojtarin ka shprehur edhe skuadra italiane Atalanta, por duket se Florenzi dëshiron ta vazhdoj karrierën në Ligue 1.
Mediat në Itali kanë raportuar se Roma ende nuk ka pranuar ofertën e PSG-së, pasi në rast të largimit të Fonsecës nga klubi, Florenzi mund të rikthehet në kryeqytetin italian. /Telegrafi/