Paris Saint-Germaini e ka siguruar pjesëmarrjen në 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve, pas fitores prej 4-1 në udhëtim ndaj Crvena Zvezdas.
Kampioni francez bëri një paraqitje dominuese në këtë sfidë për t’i arkëtuar pikët e nevojshme për pjesëmarrje në fazën e eliminimit direkt të fazës më të madhe evropiane për klube.
Edinson Cavani e zhbllokoi rezultatin në minutën e 10-të pasi që gjithë punën e kreu Kylian Mbappe, i cili e dhuroi asistimin.
Neymar bëri gjithçka vet për ta dyfishuar rezultatin e skuadrës nga kryeqyteti francez (40′).
Marko Gobeljic e ngushtoi rezultatin në pjesën e dytë (56′), mirëpo Marquinhos shënoi pas harkimit nga Angel Di Maria (74′).
Për rezultatin përfundimtar u kujdes Kylian Mbappe në minutat shtesë të takimit (90’+2).
Me këtë fitore, Paris Saint-Germaini u ngrit në kuotën e 11-të pikëve dhe u kualifikua në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve nga vendi i parë në Grupin C.
Nga vendi i dytë në këtë grup është kualifikuar skuadra e Liverpoolit që fitoi ndaj Napolit. /Telegrafi/