Telegrafi

PSG fiton me rikthim trilerin ndaj St Etienne dhe vazhdon garën për titull

Paris Saint-Germain ka fituar me rezultat të ngushtë 3-2 në shtëpi ndaj St Etienne në ndeshjen e vlefshme për javën e 33-të në Liguë 1.

Ekipi i Mauricio Pochettinos ka marrë një fitore të vështirë, por shumë të vlefshme në shtëpi ndaj St Etienne.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim total të parisienëve, të cilët tentuan me të gjitha mënyrat të gjenin golin.

Megjithatë, edhe përkundër rasteve të shumta, portat mbeten të paprekura dhe ekipet shkuan në pushim me rezultat 0-0.

Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e hapur, por përsëri PSG ishte skuadër më e mirë dhe krijoi më shumë raste.

Por, goli i parë i ndeshjes u shënua nga mysafirët të cilët në minutën e 77-të shënuan me anë të Denis Bouanga për 0-1.

Epërsia e mysafirëve zgjati vetëm një minutë pasi në skenë doli Kylian Mbappe, i cili barazoi shifrat në 1-1, ndërsa në minutën e 87-të i njëjti lojtar shënoi për 2-1.

Kur pritej që PSG të fitonte me këtë rezultat, mysafirët barazuar 2-2 me anë të Romain Hamouma (90+2), ndërsa Mauro Icardi (90+6) vulosi fitoren dhe rezultatin përfundimtar 3-2.

Pas kësaj fitore, PSG e sheh veten në pozitën e dytë me 69 pikë apo një më pak se Lille në vendin e parë, ndërsa St Etienne zë vendin e 13-të me 39 pikë.

Në ndeshjen e radhës, kryeqytetasit lujnë në udhëtim te Metz, ndërsa St Etienne e pret Brestin. /Telegrafi/