Telegrafi

PSG bindës ndaj Marseille në klasiken franceze

(Foto: Getty Images)

Paris Saint-Germaini është treguar bindës në triumfin prej 3-0 përballë Olimpique de Marseille në derbin klasik të kampionatit francez.

Rezultati u zhbllokua në minutën e dhjetë të takimit. Një gabim nga mbrojtja mysafire i mundësoi Kylian Mbappes që të dilte në rast, ai e kontrolloi me qetësi topin dhe e ndëshkoi kundërshtarin.

Në vazhdim një rast të mirë e pati Neymar, ndërsa disa minuta më pas, vizitorët gabuan sërish. Në tentim që ta largonte topin, Rolando e futi në portën e tij (27′).

Neymar përsëri u tregua i rrezikshëm, ndërsa në fund të pjesës së parë Dimitri Payet pati mundësinë ta ngushtonte rezultatin. Sidoqoftë, me dy gola epërsi të nikoqirëve, skuadrat shkuan në pushim.

Në gjysmën e dytë, Parisi realizoi sërish. Neymar shkoi në aksion nga ana e majtë dhe e gjeti Edinson Cavanin në zonë, i cili e pranoi topin, u rrotullua dhe shënoi (55′).

Mysafirët u treguan të rrezikshëm përmes Rolandos, Clinton N’Jie dhe Florian Thauvin, ndërsa PSG rrezikoi me anë të Angel Di Marias. Sidoqoftë, ndeshja u mbyll me rezultat 3-0 për vendasit.

Paris Saint-Germaini është lider i pakontestueshëm në Ligue 1 me 71 pikë. Rivali më i afërt është Monaco që numëron 57 pikë. Troyes është kundërshtari i ardhshëm i liderit.

Marseille mbetet në kuotën e 55 pikëve, ndërsa në ndeshjen e ardhshme do të luajë kundër Nantes. /Telegrafi/