Telegrafi

Pse takat e larta janë të dëmshme!

Mr. sc. Arben Boshnjaku
Fizioterapeut
tel. 044 477 337
Ordinanca ‘Fixoterapia’
Rr. Su 1/2, Platoja e Postës Kryesore, Dardani
Prishtinë

Pa kurrfarë dyshimi, këmbët janë pjesa trupore të cilës çdo femër i kushton kujdes të veçantë. Dhe realisht, këmbët me format e tyre së bashku me këpucët, paraqesin një pjesë mjaft delikate të femrës, gjë që shpesh tregon edhe për stilin dhe natyrën e saj. Ndoshta sot, femrat, mund të jenë të ndara për nga mendimet lidhur me atë se a janë kundër apo për takat e larta, por sidoqë të shkojë puna, në fund prapë shumica e femrave përfundojnë duke pasur nga disa palë këpucë me taka të larta nëpër sirtarët e tyre. Është bërë modë e pandryshueshme tashmë! Këpucët me taka të larta datojnë nga Evropa mesjetare. Femrat, ashtu edhe meshkujt me autoritet apo pjesëtarë të familjeve mbretërore, asokohe i bartnin këpucët e drunjta me një lartësi karakteristike, ndërsa në 100 vitet e fundit ka pasë pak periudha (dhe ato fare të shkurtra) kur takat e larta kanë dalë nga moda.Arsyet e përdorimit të këpucëve me taka të larta janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga dëshira e femrës për t’u dukur më e bukur, më seksi, më e gjatë, e nganjëherë edhe thjesht për modë. Mirëpo, nuk duhet harruar që shputat paraqesin bazën e trupit mbi tokë dhe si të tilla ato kërkojnë një mbështetje sa më të mirë e të gjerë. Pra, si t’ia bëni me takat e larta që sigurojnë bukuri dhe elegancë në dëm të stabilitetit?! A ia vlen të rrezikohet dhe cilat janë pasojat e përdorimit të këpucëve me taka të larta?!

Realisht, shumica e ekspertëve të kësaj fushe janë të mendimit që për përdorim afatgjatë ditor, takat e këpucëve të kenë një lartësi prej 1-2 cm, ndërsa në raste të veçanta (për periudha më të shkurtra kohore) edhe mund të përdoren ato me taka të larta.

Përdorimi për periudha të zgjatura të takave të larta shpesh mund të ketë pasoja serioze për femrën, e sidomos kur kombinohen takat e larta me grykat e ngushta të këpucëve mbi të cilat bie pesha e gishtërinjve. Kështu këpucët me taka të larta që përdoren për periudha të gjata kohore mund të çojnë në deformim të gishtërinjve dhe shputës, rrisin mundësitë për thyerje, përdredhje e ndrydhje, dëmtojnë tendinën e Akilit dhe muskulin e pulpës, etj.Specialistët e Royal National Orthopaedic Hospital në Londrën perëndimore kanë përdorë një teknologji të re përmes të cilës arritën të jepnin imazhe 3D të shputës teksa qëndron mbi taka relativisht të larta.

Nga kjo video vërehet se si pozicionohet shputa në një pozitë jonormale për të, me ç‘rast e tërë pesha bie mbi pjesën e përparme të shputës duke i favorizuar maksimalisht deformimet e mundshme. Kështu, deformimet dhe problemet tjera shoqëruese si pasojë e përdorimit të këpucëve me taka të larta janë të paevitueshme për aq kohë sa këto të fundit bëhen pjesë e përditshmërisë së gardërobës së femrës.

Për fund, ne, sikurse edhe specialistët e klinikave më të shquara evropiane, ju propozojmë që të mundoheni t’i reduktoni daljet me këpucë që kanë taka të larta. Kjo s’do të thotë që t’i lëni anash ato, pasi që edhe takat e larta e kanë padyshim atë sharmin e vet karakteristik, por mundohuni që, bile, gjatë pjesës më të madhe të ditës t’i shmangni ato. /Telegrafi/

Në linkun e mëposhtëm, mund të shihni videon 3D të shputës mbi taka të larta: