Poezi nga: John Keats
Përktheu: Maksim Rakipaj
Kush më thotë, pse sonte u gajasa?
As Zot, as Dreqi me të birin s’ndihen,
Asnjë zë s’vjen nga Ferri dhe Parajsa
Kështu që iu drejtova zemrës sime:
Zemër! Ishim vetëm dhe të trishtuar;
Pse qesha? O dhëmbje, që kërkon mort!
O natë! Që m’duhet duke rënkuar,
Të pyes Qiell, Ferr e Zemër më kot.
Sa e kam të shkruar do të jetoj,
Etja për jetën më jep lumturi;
Por në qëlloftë, sonte të mbaroj
Dhe gjithë bota të bjerë në zi;
Vlejnë poezi, hir, famë, patjetër;
Por m’e fuqishme vdekja, çmim i jetës.