Site icon Telegrafi

Pse protestat e studentëve në Serbi nuk kanë lider?

“Po tregojmë unitet”.

Kështu i përgjigjet një student i Fakultetit të Transportit në Beograd pyetjes së Radios Evropa e Lirë se përse studentët në Serbi këmbëngulin që protestat e tyre të mos kenë lider.

Gjatë bisedës, ai thotë se do që të prezantohet vetëm si student në Fakultetin e Transportit, pa dhënë emrin dhe mbiemrin, sepse, siç shprehet, është qëndrim i plenumit të fakultetit që asnjë individ nuk bie në sy në raport me kolektivin.

Për më shumë se dy muaj, studentët në Serbi janë duke bllokuar dhjetëra fakultete në të gjithë vendin. Ata kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për aksidentin në Novi Sad, ku nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të qytetit, më 1 nëntor të vitit të kaluar, humbën jetën 15 persona.

Javëve të fundit, ata janë në krye të protestave masive që zhvillohen në shumë bashki e qytete. Studentëve u bashkohen edhe mijëra qytetarë të tjerë.

Pushteti e mohon përgjegjësinë për aksidentin dhe pretendon se kërkesat e studentëve janë plotësuar.

Studentët, në anën tjetër, distancohen nga veprimet e partive politike, organizatave joqeveritare dhe grupeve rinore aktiviste.

Në protesta mbajnë flamuj të shtetit dhe universiteteve, por distancohen nga simbolet politike.

“Për ne është e rëndësishme që në këto momente të ruhet autonomia studentore. Vetë studentët i iniciuan bllokadat e fakulteteve dhe më vonë, me protesta, e ngritën gjithë vendin në këmbë. Për ne është e rëndësishme që lëvizja jonë studentore të mbetet autonome dhe e pavarur nga çdo faktor”, thotë studenti i Fakultetit të Transportit.

Ai shton se në mesin e studentëve ka orientime të ndryshme politike, por se ata janë të bashkuar rreth kërkesave që janë parashtruar para institucioneve të Serbisë.

“Prandaj, ne nuk duam që ajo që kemi arritur, të përdoret për qëllime apo promovime politike”, thotë studenti.

“Anonimiteti si një formë mbrojtjeje”

Studenti në Fakultetin e Transportit tregon se anonimiteti i tyre është një formë mbrojtjeje.

“Ne duam që të gjithë të jenë të sigurt dhe të mos përpiqen të na i pengojnë bllokadat duke shënjestruar individë, por, përkundrazi, ne duam të veprojmë si një masë që ka një qëndrim të përbashkët”, shton ai.

Që nga fillimi i bllokadave, studentët janë vënë në shënjestër të tabloideve proqeveritare dhe përfaqësuesve qeveritarë.

Pa ofruar ndonjë provë, ata i akuzojnë studentët si “mercenarë të huaj” dhe shërbimet e inteligjencës perëndimore për ndërhyrje.

Në adresat e shtëpive të tyre dhe të prindërve, studentët kanë marrë edhe thirrje nga Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit për “intervista informative”.

Disave që kanë dalë publikisht, u janë publikuar edhe informacione personale nga tabloidet proqeveritare.

Profesorë të universiteteve – më shumë se 5.000 prej tyre – janë rreshtuar pas studentëve.

Përmes një peticioni, ata kanë theksuar se i dënojnë përpjekjet e autoriteteve për t’i frikësuar.

Zoran Stojilkoviq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, thotë se Qeveria e Serbisë ka dështuar në përpjekjet e saj për t’i delegjitimuar protestat e studentëve.

“Të veprosh pa liderë të dukshëm, është diçka për të cilën ky sistem dhe regjim nuk ka reagim adekuat. Kjo është dëshmuar të jetë shumë efektive, sepse nuk mund t’i delegjitimosh lehtë me këtë apo atë lloj ndikimi… dhe, nga ana tjetër, kjo e ruan një lloj uniteti”, thotë Stojilkoviq për Radion Evropa e Lirë.

Plenumi si vend vendimmarrjeje

Studentët protestues thonë se në plenumet e fakulteteve marrin vendime “sipas parimit të demokracisë së drejtpërdrejtë”.

Siç sqaron studenti i Fakultetit të Transportit, të gjithë studentët që ndjekin atë institucion, kanë të drejtë të marrin pjesë në plenum.

“Ne duam që të gjithë studentët – si ata që i mbështesin, ashtu edhe ata që nuk i mbështesin bllokadat – të mund ta shprehin mendimin e tyre në plenum dhe të përfshihen në procesin e vendimmarrjes”, shton ai.

Vendimet merren me shumicën e votave të studentëve të pranishëm në plenum.

Plenumi vendos edhe për daljet e studentëve në media dhe folësit në protesta.

Studenti i Fakultetit të Transportit thotë se respektohet “parimi i rotacionit”, që do të thotë se asnjë student nuk është dominues në publik.

“Për ne është e rëndësishme që të dëgjohet zëri i çdo fakulteti. Domethënë, asnjë fakultet të mos pozicionohet si lider në bllokada. Por, të tregojë se jemi të gjithë të barabartë, se kemi një qëndrim të përbashkët, se askush nuk i imponon asgjë askujt”, thotë studenti.

Profesori Stojilkoviq thotë se përmes një organizimi të tillë, studentët kanë arritur t’i tejkalojnë ndarjet tradicionale politike.

“Duke marrë vendime në seancë plenare dhe duke komunikuar me publikun me përfaqësues të ndryshëm, ata kanë arritur të mos bëhen një lloj lëvizjeje lidershipi”, thotë ai.

Përveç takimeve në fakultete, është organizuar edhe një plenum në nivel universitar, thotë Lluka Opruc, student në Fakultetin Filozofik në Novi Sad.

“Është një organ i përbërë nga delegatë të secilit fakultet në Novi Sad. Çdo fakultet ka tre delegatë dhe mund të marrin pjesë edhe tre vëzhgues. Ata i paraqesin pikëpamjet e plenumit të fakultetit të tyre dhe votojnë në Uniplenum – siç e quajmë ne. Një fakultet ka një votë”, shpjegon Opruc.

Teksa flet për Radion Evropa e Lirë, ai prezantohet me emër dhe mbiemër, sepse plenumi i atij fakulteti e lejon.

Ai tregon se brenda fakultetit, studentët në bllokadë janë të organizuar në ekipe.

“Por, vendimet më të vogla për të cilat ekipet kanë autonomi, janë të natyrës operacionale. Shumica e vendimeve, në fakt, kalojnë përmes plenumit, pothuajse të gjitha”, thotë Opruc.

Pse ndryshojnë njoftimet e plenumeve?

Deklaratat nga plenumet e fakulteteve të bllokuara, kanë qenë të ndryshme në javët e fundit.

Për shembull, Fakulteti Filozofik në Beograd “u shkëput” nga bllokada 24-orëshe e Urës së Lirisë, e cila u organizua nga studentët e Novi Sadit më 1 dhe 2 shkurt.

“Çdo plenum ka një lloj autonomie të caktuar, çdo fakultet është i veçantë”, thotë Opruc.

Ai thekson se deklarata e lëshuar nga Fakulteti Filozofik i Beogradit, “nuk ka krijuar përçarje”.

“E gjithë kjo është komunikuar mes studentëve më vonë”, shton ai.

Mosbesimi në parti dhe organizata

Përveç partive politike dhe sektorit joqeveritar, si organizata nga të cilat distancohen plenumet e fakulteteve përmenden edhe grupi joformal i intelektualëve “Proglas” dhe grupet rinore aktiviste “Stav” dhe “Svice”.

Fakulteti Juridik i Novi Sadit, i cili aktualisht është nën bllokadë, është distancuar prej tyre përmes një deklarate, ku ka thënë se vendimi i tillë është marrë në një plenum, në kuadër të “diskutimeve për depolitizimin e bllokadave”.

Politikanët e opozitës shfaqen në protestat e studentëve, por ata nuk flasin me ta dhe nuk janë në rreshtat e parë.

“Të gjithë të interesuarit janë të mirëpritur në veprimet tona, por ekskluzivisht në cilësinë e tyre si qytetarë”, thonë studentët në bllokadë.

Studenti Lluka Opruc thotë se studentët distancohen për shkak të mosbesimit në këto organizata dhe parti.

Sipas tij, studentët “nuk duan të veprojnë si aktorë të drejtpërdrejtë politikë”.

Kur bëhet fjalë për distancimin nga organizatat rinore aktiviste, studenti i Fakultetit të Transportit thotë se disa prej tyre kanë “histori bashkëpunimi me aktorë politikë”.

“Dhe ne, si studentë, nuk duam të jemi pjesë e tyre”, thotë ai.

“Nuk ka përçarje ideologjike dhe partiake”

Profesori Stojilkoviq thotë se studentët kanë fituar besimin e një rrethi të gjerë të qytetarëve, të cilët i ndjekin në protesta, sepse nuk kanë hyrë në përçarje ideologjike dhe partiake.

“Nga ikonografia dhe parullat, shihet se studentët në protestë dhe në bllokada nuk janë të bashkuar ideologjikisht dhe politikisht”, sipas tij.

Ai, gjithashtu, thekson se aktualisht është e paqartë se si do të zgjidhet kriza politike në Serbi.

Qeveria e këtij vendi ra pasi kryeministri Millosh Vuçeviq dha dorëheqje më 28 janar.

Shumica qeverisëse, e udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe, nuk ka deklaruar nëse do të ketë zgjedhje të reja, apo nëse do të formohet ndonjë qeveri e re në muajt e ardhshëm.

Pushteti e refuzon edhe propozimin e disa partive opozitare për formimin e një qeverie kalimtare, të përbërë nga ekspertë.

Opozita, duke cituar raportet e vëzhguesve vendas dhe ndërkombëtarë, thotë se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje në kushtet aktuale, të cilat janë “të padrejta dhe jodemokratike”.

Por, profesori Stojilkoviq thotë se fokusi i protestave studentore nuk janë zgjedhjet, por përmbushja e kërkesave.

“Ata nuk nxiten nga lufta për pushtet. Protestat dhe rebelimi në vetvete nuk e ndryshojnë regjimin. Vetëm tregojnë se deri ku mund të shkojë një regjim, i japin kufij të qartë”, thotë Stojilkoviq.

Ai shton se në këtë fazë, rebelimi i studentëve nuk është zhvilluar në lëvizje.

“Që kjo të ndodhë, duhet të kalojë një kohë e përshtatshme. Por, vetëdija se kjo mund të krijojë përçarje brenda protestës dhe bllokadave të studentëve, është ende shumë e pranishme”, thotë Stojilkoviq.

Në këtë pikë, sipas tij, nuk dihet nëse kjo protestë studentore, si të mëparshmet, mund të prodhojë ndonjë aktor politik, që do të merrte pjesë në zgjedhje në të ardhmen.

Ai e përmend shembullin e lëvizjes studentore Otpor, e cila mori pjesë në përmbysjen e Qeverisë së Sllobodan Millosheviqit në vitin 2000.

Përveç Otporit, opozitës atëherë i është bashkuar edhe një grup ekspertësh, G17.

Stojilkoviq thotë se për shkak të “mungesës së besueshmërisë dhe mosbesimit ndaj aktorëve klasikë politikë”, kjo mund të mos ndodhë këtë herë.

“Ata [studentët] e kuptojnë politikën dhe angazhimin shoqëror në një mënyrë tjetër”, sipas tij.

“Kundër kultit të personalitetit”

Studenti i Fakultetit të Transportit në Beograd thotë se studentët, “përmes unitetit dhe përpjekjeve kolektive”, kanë arritur të nxisin edhe grupe të tjera shoqërore, që “t’u bashkohen në luftë”.

“Vetëm kështu mund të sjellim ndryshime më të mëdha dhe të tregojmë se kulti i personalitetit mund të zhduket”, thekson ai.

Studentët dhe profesorët universitarë janë duke i refuzuar thirrjet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për dialog, duke thënë se institucioni që ai drejton, nuk është kompetent për t’i përmbushur kërkesat e tyre.

Kërkesa e parë e studentëve në bllokadë është publikimi i dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin.

Ata kërkojnë që të dënohen edhe sulmuesit e studentëve në protesta, pas aksidentit në Novi Sad, dhe të pezullohen procedurat ndaj protestuesve të arrestuar.

Gjithashtu, kërkojnë rritje për 20 për qind të buxhetit për arsimin e lartë.

Pushteti pretendon se janë plotësuar të gjitha kërkesat e studentëve dhe bën thirrje për hapjen e fakulteteve.

Studentët thonë se bllokadat dhe protestat do të vazhdojnë dhe se grupet e ekspertëve do të përcaktojnë nëse kërkesat janë plotësuar ose jo.

 

Exit mobile version