Site icon Telegrafi

Pse pesha e trupit në peshore fillon të rritet kur ju filloni me ushtrime të reja?

Kjo është një pyetje e zakonshme që ushtruesit i bëjnë trajnerëve të klubeve (kur ata janë në javën e parë ose të dytën të një programi të ri të ushtrimeve)

Gëzim Humolli
Trajner personal
“Fitness Gym Prishtina“

Shumica e ushtruesve fillojnë të ushtrojnë një program për humbje të peshës, por pas disa ditësh kur ta shikojnë veten në peshore, vërejnë që nuk po humbasin, por shtojnë pakëz peshë. Kjo nuk është ndonjë shtim i peshës, por vetëm rritje e përkohshme (mos mendoni se jeni duke gabuar me ato ushtrime që jeni duke i bërë).

Ja pse ju keni shtuar peshë gjatë këtyre ditëve:

Kur ju (ushtruesi) filloni një program të ri të stërvitjeve, shpesh fitoni ndezje (kallje) të muskujve, të cilat paraqiten 24-48 orë pas çdo stërvitje. Në ditët e para të programit të ri, muskujt janë duke u përpjekur të mbrojnë indet muskulore; pra kur kjo ndodh, trupi i mbron indet. Muskujt, kështu, janë të fryrë pak për shkak të mbajtjes së lëngjeve në organizëm.

Kjo mbajtje e përkohshme e lëngjeve mund të rezultojë me shtimin e peshës për 0.5-1.5 kg brenda disa ditësh me program të ri, por sërish do të ktheheni në peshën e duhur, pastaj edhe të dobësoheni.

Shumë ushtrues kur të fillojnë stërvitjet janë të përgatitur dhe motivuar për ndezje të muskujve, e përballojnë lehtë, porse një pjesë e ushtruesve e sidomos ata që tentojnë të humbin peshë shpejt, nuk gjejnë motiv për të vazhduar treningun dhe i ndalin ushtrimet.

Janë të shumtë ushtruesit që nuk e dinë se, kur muskujt tuaj janë të ndezur, kanë tendencë për të mbajtur ujin dhe për të ndihmuar në riparimin e indeve muskulore dhe ruajtjen e ujit. Në shumë raste mund të rritet pesha muskulore, por ushtruesi do të humbas në centimetra dhe do të duket më i dobët (më i hollë).

Muskuli më i dendur se dhjami

Muskuli është më i dendur se sa dhjami, por merr më pak hapësirë në trup. Kjo do të thotë se nëse fiton muskuj, sërish mundeni mos me pa ndryshime në kilogramët tuaj gjatë matjes në peshore, por ju do të dukeni më të hollë. Kjo është normale; së pari bëhet forcimi i muskujve, humbasim në centimetra e më pas në peshë (personalisht, më parë do të humbisja në centimetra sesa në peshë, sepse dallimi është i dukshëm. Përdorimi i peshores, nuk është mënyra më e mirë për të shikuar përparimin tënd. Pra, përdore më shumë metodën e matjes me centimetra, sesa të peshores me kilogram).

Ju ose trajneri juaj mund të bëni matjen e trupit në disa pjesë të caktuara, si psh., bel, këmbë, ijë, kraharor, gjoks, etj., dhe shikoni dallimin pas ca kohësh. Kështu, mund ta vërtetoni se nuk është me rëndësi shumë humbja e peshës sesa e centimetrave në trup (kur trupi juaj është më i fortë dhe me muskuj, atëherë ju dukeni më mirë).

Nga përvojat e shumta me klientë, mund të përmend rastin kur ushtruesi për 2 muaj ka humbur 2kg, por trupi i tij është holluar për 11 cm. Gjithashtu, ka edhe ushtrues të cilët nuk kanë humbur fare në peshë, por janë holluar dukshëm për 40 ditë – 7 cm (dhjami është shndërruar në masë muskulore). /Telegrafi/

Exit mobile version