Henrikh Mkhitaryan ka luajtur në vetëm katër ndeshje me fanellën e Manchester United.
Reprezentuesi armen u transferua gjatë verës nga Borussia Dortmund dhe pritej që të ishte një ndër lojtarët kyç në ekipin e Manchester United.
Teksa kanë kaluar tre muaj që nga fillimi i sezonit të ri ai ka gjetur shumë pak hapësira ne ekipin e Jose Mourinhos, i cili tregon arsyen pse lojtari nuk po luan.
“Mkhitaryan nuk është i lënduar, ai po stërvitet me skuadrën me 100% të potencialit”, ka thënë Mou për gazetarët.
“Disa futbollistë hasin në vështirësi që të adaptohen në një ambient të ri dhe u duhet më shumë kohë për t’u mësuar me intensitetin. Disa të tjerë duhet që të mësojnë nivelin dhe cilësinë që luhet edhe kur nuk e kanë topin në pronësi”.
“Mkhitaryan ka nevojë edhe për pak kohë për t’u kthyer në top-lojtarin që të gjithë e dimë se ai mund të jetë”, u shpreh ai.
Mourinho gjithashtu ka mohuar se ka probleme personale me lojtarin, gjëra që sipas tij janë shpikje të medieve.