Një ndër faktorët që shkatërron marrëdhënien në çift është edhe faji, një nga gjendjet emocionale më të rrezikshme për shëndetin e personit. Një faktor që shkakton ndjenjën e fajit, i hasur shpesh në dhomat e psikoterapisë, është edhe tradhtia.
Në këtë shkrim u referohemi individëve, të cilët, pasi kanë tradhtuar, rikthehen te partneri dhe shpesh “i bren ndërgjegjja”, dhe jo pjesës tjetër, që e shndërrojnë tradhtinë në një aspekt të brendshëm të marrëdhënies së tyre në çift.
Kur ndjenja e fajit gjen strehë në zemrën e një prej partnerëve, çifti ndodhet përpara një rreziku Real, transmeton Telegrafi.
Frika se tjetri mund të zbulojë sekretin, mund të hapë një humnerë në shpirtin e atij që ndihet fajtor. Si rrjedhojë, personi që jeton me këtë frikë, ndryshon automatikisht sjelljen.
Psikologët shpjegojnë se “kur një nga partnerët ka një sekret, ai nuk është më i vërtetë në marrëdhënie, pra fshihet pas një maske. Është e mundur që partneri të kuptojë se diçka ndodh me të dashurin/dashurën e tij, dhe deri te hamendësimet e ndajnë vetëm disa hapa. Marrëdhënia mund të degradojë ngadalë, por është e sigurt”.
Njerëzit e prekur nga ndjenja e fajit i kanë shpesh në mendje veprimet e tyre, duke u vetëfajësuar. Ata frikësohen nga pasojat dhe kanë një ndjenjë të vazhdueshme fajësimi. Risjellja në mendje e këtyre veprimeve i bën ata të vuajnë, të ndiejnë frustrim dhe nervozizëm, duke e vënë në rrezik marrëdhënien e tyre në çift, për faktin se pse nuk kanë vepruar ndryshe.
Sipas psikologes Elena Ceciu, “ka mundësi që një prej partnerëve ta mbajë të fshehtë sekretin dhe mosmarrja e përgjegjësisë mbi pasojat e mundshme e çon atë në një tension kaq të madh, saqë ai do të ndiejë dëshirën, në mënyrë të pavetëdijshme, që ta zbulojë këtë sekret”.
Për këtë arsye, do të bëjë vazhdimisht veprime të gabuara, të cilat nuk do të kenë asnjë rezultat, përveçse do të japin disa detaje që do t’ia lehtësojnë partnerit tjetër zbulimin e sekretit.
Specialistët u rekomandojnë individëve që përjetojnë këto ndjenja, të kërkojnë këshillim psikologjik. Duke folur për ndjesitë që kanë dhe kërkuar zgjidhje, për të qenë në rregull me partnerin, personi në fjalë do të gjejë qetësinë e shumëdëshiruar.
Studimet kanë treguar se njerëzit çlirohen nga ndjenja e fajit, kur e ndajnë atë me një rrëfyes. /Telegrafi/