Site icon Telegrafi

Pse na pëlqen të shohim filma, seriale mister, krim dhe thriler?

Pëlqimi ndaj këtij zhanri filmash është normal (deri në një pikë të caktuar). Nuk ka asgjë të çuditshme me të qenit i fiksuar pas serialeve apo filmave të tillë

Dr. Michael Mantell, ish-psikolog i Departamentit të Policisë në San Diego, thotë se interesi ynë për krimin shërben për një sërë qëllimesh të ndryshme psikologjike.

“Sigurisht, ka disa limite. Nëse gjithçka bëni, është të flisni për të, të keni postera dhe artikujt gazete të prerë në sirtarin e dhomës, situata është shqetësuese.”

Atëherë, pse na pëlqen kaq shumë t’i shohim?

– Sepse “e keqja” na magjeps

Zhanri i vërtetë i krimit, u jep njerëzve një mundësi të futen në mendjen e kriminelëve. Ne duam të kuptojmë se çfarë i shtyu këta njerëz drejt këtij akti ekstrem dhe çfarë i bën ata të mos mendojnë, sepse ne kurrë nuk do të kryenim vrasje.

“Ne duam një pasqyrë në psikologjinë e një vrasësi, kështu pjesërisht, ne mund të mësojmë se si të mbrojmë familjet tona dhe veten tonë, por edhe thjesht sepse jemi të magjepsur nga sjellja devijuese dhe rrugët e frikshme që perceptimet e trurit tonë mund të marrin. ” thotë Caitlin Rother, autore e “Lost Girls”.

– Sepse jemi të bombarduar me lajme 24/7

Që prej viteve ’50, media është e mbushur me histori krimesh. Magjepsja jonë me krimin barazohet nga frika jonë ndaj tij. Media e ka kuptuar këtë, prandaj edhe 25-30% e lajmeve televizive merren sot me krim, veçanërisht me vrasjet.

– Sepse na ndihmon të ndihemi të përgatitur

Sipas novelistes së krimit, Megan Abbott, burrat kanë 4 herë më shumë gjasa sesa gratë, të jenë viktima të vetëvrasjeve, por gratë përbëjnë 70% të viktimave që vriten nga partnerët. Abbot beson se ajo që i tërheq gratë në historitë e krimit është një kuptim instinktual i botës ku ato jetojnë.

Studimet tregojnë se gratë në veçanti duket se e duan krimin e vërtetë dhe psikologët besojnë se kjo është për shkak se ato po marrin këshilla se si të rritin shanset e tyre të mbijetesës, nëse e gjejnë veten në një situatë të rrezikshme.

Një studim, botuar në 2010-ën, zbuloi se gratë ishin më të tërhequra se burrat në librat dhe filmat e krimit të vërtetë që përmbajnë këshilla se si të mbroheshin kundër një sulmuesi, që ato kishin më shumë të ngjarë të interesoheshin për libra që përmbajnë informacione rreth motiveve të një vrasësi sesa burrat dhe se ato kishin më shumë të ngjarë të zgjidhnin libra që kishin viktima femra.

Amanda Vicary, autorja kryesore e studimit, tha për Huffington Post se: “Duke mësuar për vrasje – kush ka më shumë të ngjarë të jetë një vrasës, si ndodhin këto krime, kush janë viktimat etj, njerëzit po mësojnë gjithashtu për mënyrat për të parandaluar së qeni vetë një viktimë. ”

– Sepse ndihemi mirë që nuk jemi viktima apo sulmuesi

Psikologët thonë se një prej arsyeve pse i ndjekim të tillë filma është mundësia që na japin për t’u ndjerë me fat që nuk jemi në vendin e viktimës. Nga ana tjetër, krijon një sens empatie tek ne, jo vetëm për viktimën por edhe për personazhet negativë. Na jep një ndjesi lehtësimi, të dimë se kemi kontroll të vetes mjaftueshëm për të mos vrarë dikë.

– Sepse po përpiqemi të zgjidhim misterin

Një mister për tu zgjidhur e vë trurin “në lëvizje”. Është një lloj sfide që stimulon trurin dhe ju mban të fiksuar pas ekrani deri në përfundim. Ju jep mundësinë të bëheni dedektiv, polic dhe avokat, shkruan Anabel.

– Sepse na pëlqen të kemi frikë…në një mënyrë të kontrolluar

Si një burim popullor argëtimi, serialet e filmat me krim na japin mundësinë të ndjejmë frikë dhe horror në një mjedis të kontrolluar, ku kërcënimi është emocionues, por jo i vërtetë. Krimi i vërtetë i lejon shikuesit të “zhyten” drejt anës së errët të njerëzimit, por nga rehatia e kolltukut të shtëpisë.

– Sepse na jep adrenalinë

Njerëzit përjetojnë një lloj adrenaline, kur dëshmojnë diçka që nuk shkon. Nëse e dyshoni fuqinë e adrenalinës, mendoni pak për fëmijët në një lisharëse, të cilët nuk duan të ndalojnë deri sa nuk ndihen mirë. Efekti euforik në një krim tek ndjenjat e njerëzve është i ngjashëm me efektin e lisharëses tek fëmijët. /Telegrafi/

Exit mobile version