Ka disa perceptime që Jose Mourinho po kthehet te Chelsea si një humbës duke e përcjellë sezonin e tij të fundit te Reali, ku nuk fitoi asnjë trofe dhe pati shumë përçarje. Në vendin ku në fillim u prit me aq entuziazëm nëpër të gjitha mediat, së fundmi ishte nën zjarr nga kritikat e jashtme dhe të brendshme për prishjen e harmonisë brenda klubit.
I pafrenueshmi, shoumeni i dikurshëm, disa thonë se nuk ekziston më, dhe në vendin e tij ka mbetur një hije e vetëshpallur si ‘Special One’ – një karrige e zbrazët në konferencat për shtyp, e zëvendësuar nga asistenti i tij Aitor Karanka – më i hirtë, më i vjetër, më pak absorbues dhe një karakter ndriçues. Madje disa po e quajnë edhe dështim.
Edhe pse sezoni i vitit 2012-13 është një për t’u harruar për Mourinhon(ai e quajti sezonin më të keq në karrierën e tij), duke e përcjellë humbjen e Los Blancos nga Atletico Madridi në finale të Copa del Rey, prapë se prapë periudha e tij në Madrid ishte e suksesshme. Ndoshta jo më e mira, jo më e famshmja sa i përket trofeve, sipas standardeve dhe kërkesave të tij, por prapë se prapë e suksesshme.
Ai largohet nga kryeqyteti i Spanjës duke e arritur përqindjen më të madhe për fitore (71.9 për qind) nga çdo menaxher tjetër që ka qenë në drejtim të klubit në më shumë se 50 ndeshje – në fakt, vetëm në Porto, Mourinho kishte arritur përqindje më të mirë (73%) gjatë gjithë karrierës së tij. Vetëm në La Liga, portugezi ka arritur përqindje të mahnitshme për fitore, deri në 76%.
Përkundër përçarjeve në kampin e tij, lënies famëkeqe të kapitenit dhe ikonës së klubit, Iker Casillas, në bankën rezervë, Mourinho ia doli t’i fitonte 85 pikë në sezonin e fundit me Realin – vetëm katër më pak se Manchester Unitedi që e fitoi titullin këtë edicion(megjithëse Los Blancos kanë shënuar 0.5 gola për ndeshje më shumë se Djajtë e Kuq dhe i kanë mposhtur ata në Ligën e Kampionëve).
Mbi të gjitha, ai u përball me njërin nga klubet më frikësuese dhe kreative në historinë e futbollit, Barcelonën e Pep Guardiolas. Mourinho jo vetëm që i dha fund dominimit të tyre në kampionat( duke e fituar La Ligan në vitin 2011-12 dhe duke e përfunduar pritjen 18-vjeçare për Kupën e Mbretit), por edhe e uli dukshëm dallimin mes ekipit të tij dhe Barcës, që ishte krijuar viteve të fundit.
Larg ikjes nga Bernabeu duarthatë dhe me bishtin mes këmbëve, ai largohet nga ky klub duke e shkruar vetën në librat e historisë me disa rekorde që as Barca me udhëheqësin e tyre, Lionel Messin(që shënoi 1.48 gola për ndeshje sezonin e kaluar), nuk mund t’i përpijnë.
Reali i Mourinhos mban rekordin për më së shumti gola të shënuar gjatë 38 ndeshjeve të një sezoni (121 gola) dhe golaverazhin më të mirë brenda një sezoni (+89) – të dy rekordet erdhën kur e fitoi titullin në sezonin 2012-12 – gjithashtu edhe vënien e rekordit (që tani e ndan me Barcelonën) për më së shumti fitore(32) brenda një kampionati dhe më së shumti pikë(100) – që do të thotë 87.72% e të gjitha pikëve të mundshme të fituara brenda një sezoni të vetëm.
Ndeshjet e menaxhuara | 178 |
Fitore | 128 |
Humbje | 22 |
Gola të shënuar | 475 |
Gola të pësuar | 168 |
Golaverazhi | 307 |
Përqindja e fitoreve | 71.9 |
Gola për ndeshje | 2.67 |
Pikët për ndeshje në ligë | 2.43 |
Trofetë | 3 |
I vetmi çmim që i mungoi Mourinhos gjatë qëndrimit të tij në këtë klub, e gjithashtu edhe më i kërkuari nga tifozët, ishte Liga e Kampionëve.
Kritikuesit do të thonë se La Liga është garë vetëm mes dy ekipeve dhe se ekziston zbrazëtirë mes tyre dhe pjesës tjetër të ekipeve. Por, nëse e gjykojmë konkurrencën e një lige në bazë të golaverazhit pozitiv që kanë pasur ekipet, atëherë, në pesë ligat më të mira në Evropë, vetëm Ligue 1 ka pasur më shumë ekipe qe kanë pasur golaverazh pozitiv(9) se sa La Liga(8).
Megjithatë, nën drejtimin e tij, Reali arriti për tri sezone radhazi në gjysmëfinale. Ata u mposhtën me vetëm një gol më pak nga Borussia Dortmundi sezonin e fundit, humbën në penallti nga Bayern Munichu në sezonin 2011/12 dhe u mposhtën nga magjia e Lionel Messit i cili edhe e fitoi atë vit Ligën e Kampionëve me Barcën. Rezultate pozitive në të vërtetë.
Një vit më parë Mourinho ishte në kulmin e pushtetit të tij duke e copëtuar fuqinë e Camp Nout në mënyrë spektakolare, me ç’rast edhe u shpërblye me vazhdim të kontratës. 12 muaj më vonë papritmas dolën sugjerimet se ai më nuk është menaxheri që ishte dikur. Eh sikur të ishte ashtu…
Me Mourinhon në krye, Chelsea duket ekipi më frikësues në Ligën Premier për vitin e ardhshëm. 50-vjeçari në mungesën e Sir Alex Fergusonit, është larg më i mirë dhe më me pedigre se menaxherët tjerë. Kundër konkurrentëve të tij për titull, si Arsene Wenger, Manuel Pellegrini dhe David Moyes, Mourinho ka humbur vetëm një herë në 23 ndeshjet e tij të fundit, duke e realizuar një golaverazh prej +30.
Në vitin e parë të drejtimit të tij, Chelsea e fitoi ligën, duke e realizuar një epërsi prej 12 pikëve ndaj Wengerit në vendin e dytë dhe Arsenalit të tij të pamposhtur. Prej më së shumti fitoreve dhe pikëve brenda një sezoni në Ligën Premier (29 fitore dhe 95 pikëve), deri te numri më i vogël i golave të pësuar dhe ndeshjeve pa gola të pësuar (15 gola të pësuar dhe 24 ndeshje pa pësuar asnjë), asnjë ekip tjetër nuk ka mundur të arrijë rezultate më të mirë se Chelsea nën drejtimin e Mourinhos.
Ndërsa, tani Chelsea ka caktuar një Mourinho edhe më të mirë se sa ai i vitit 2004. Nëntë vite më parë ai kishte shijuar sukses vetëm me Porton, por tani ai ka “Grand Slamin” e titujve të fituar në Angli, Spanjë dhe Itali. Pragmatizmi i qenësishëm është zbutur dhe është zëvendësuar nga një trajner më sulmues dhe më kreativ.
Ai gjithashtu është bërë më i matur, më pak kokëfortë, më pak egoistë.
Ka qenë gjithmonë diçka me “afat të shkurtër” në lidhje me Mourinhon, por, tani, duket se ai është kthyer në shtëpi për të qëndruar gjatë. Çdo pjesë e perceptuar e aurës së tij është thjesht një mendim i dëshiruar, sepse ai përsëri mbetet një trajner i shkëlqyer, inteligjent, kufij-thyes. Dhe në qoftë se, sipas pretendimeve të tij, ai është kthyer në Stamford Bridge në “momentin më të mirë të karrierës së tij”, atëherë Chelsea do të jetë një forcë që duhet pasur parasysh në sezonin e ardhshëm. /Telegrafi/