Telegrafi

Pse Kylian Mbappe mund të qëndrojë në Paris Saint-Germain – tri arsye që francezin mund ta bëjnë që të ndryshojë mendje për largimin

Dukej se Kylian Mbappe do t’i bashkohet Real Madridit këtë verë, pas vitesh negociata mes klubit mbretëror dhe përfaqësuesve të lojtarit.

Megjithatë, goli vendimtar i Mbappes kundër gjigantëve spanjollë në ndeshjen e parë të fazës së eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve bëri që Paris Saint-Germain të fitojë 1-0.

Paraqitja dhe goli ka ndezur mundësinë që 23-vjeçari të qëndrojë në Francë, të paktën edhe për një kohë.

“A është e mundur të mbahet Mbappe?”, shkruhej në faqen e parë të L’Equipe.

Nëse iu besojmë fjalëve të fituesit të Kupës së Botës të vitit 2018, ende nuk është arritur një marrëveshje me asnjë klub se ku do të luajë sezonin e ardhshëm.

Oferta e PSG-së: Një milion euro në javë?

Thashethemet se PSG do të bashkohet në garë për të mbajtur Mbappen janë shtuar kohëve të fundit, pasi flitet për një marrëveshje të re njëvjeçare, e ku sulmuesi do të fitojë një milion euro në javë.

Kjo do t’i jepte Mbappes mundësinë për të shkëlqyer në Kupën e Botës 2022 në Katar, dhe nëse ai shkëlqen përsëri në skenën botërore, PSG do të mund të vendoste që Mbappe të ishte lojtari që do të udhëheqë ekipin në të ardhmen.

Mbappe nuk dëshiron të lidhet me thashethemet për të ardhmen e tij përpara ndeshjes së kthimit mes PSG-së dhe Real Madridit në Ligën e Kampionëve që do të zhvillohet më 9 mars.

Ai dëshiron të jetë ende i dashur nga fansat, prandaj ai drejtoi gishtin drejt barit në “Parc des Princes”, për të treguar se ky është vendi i tij.

Lider brenda dhe jashtë fushës

Mbappe ka qenë gjithmonë pjesë e një skuadre plot me yje, por sipas L’Equipe, ylli francez dëshiron një ekip të ndërtuar rreth tij.

Me Neymar dhe Lionel Messi në të njëjtën skuadër, është e vështirë që Mauricio Pochettino të ndërtojë një ekip rreth Mbappes.

PSG duhet t’i shpjegojë Mbappes se kjo lëvizje mund të jetë e mundur nga viti i ardhshëm.

Lojtar si Gareth Bale, Eden Hazard, Rodrgyo dhe Vinicius Junior nuk e kanë këtë status te Real Madridi, kështu që do të ishte më e lehtë për Mbappe të ishte një lider në Real Madrid.

Një largim i garantuar në vitin 2023

Siç u përmend më herët, PSG mund t’i ofrojë një kontratë të re dhe afatshkurtër Mbappes në mënyrë që ai të mos shkojë te Real Madridi.

Paga e Mbappes do të dyfishohej nga 25 milionë eurot sa është aktualja dhe do të kishte një klauzolë lirimi që do t’i mundësonte atij të largohej në qershor të vitit 2023.

Mbappe është pjesë e PSG-së prej pesë vitesh dhe i ka ndihmuar ata të fitojnë disa trofe vendas.

Nëse ai do të mund të ishte pjesë e skuadrës që fiton Ligën e Kampionëve për herë të parë në histori të klubit, ai do të mbahet mend përgjithmonë nga fansat.

Kjo arritje do të mund ta mbante Mbappe në PSG përtej vitit 2022. /Telegrafi/