Telegrafi

Proteza e gjurit

MD. MSC Ledian Fezollari
Mjek Familje
ledifezollari@gmail.com
cel: 00355672887361 Shqipëri
0037745502249 Kosovë

Pacientët, në përgjithësi, përpara këtij operacioni, marrin trajtime joinvazive, medikamente, injeksione në brendësi të artikulacioneve, aktivitet fizik e fizioterapi për një kohë të gjatë. Nëse të gjitha këto nuk kanë mundur të lehtësojnë dhimbjen në masën e duhur, atëherë artroplastia është e vetmja që mund të vijë në ndihmë.

Kur duhet të kryhet operacioni?

Kriteret për operacion janë:
1. Dhimbje të forta që nuk qetësohen nga asnjë nga metodat konservative
2. Paqëndrueshmëri të dukshme të kyçit
3. Paaftësi për të kryer aktivitetet e përditshme

Pra, përmbledhtas: pasi janë bërë të gjitha tentativat për një trajtim konservativ, kur dhimbja bëhet e fortë dhe kushtëzon shumë stilin e jetesës, gjumin dhe kapacitetin për të kryer punët ditore, duke limituar kështu pavarësinë e personit dhe kapacitetin për të ecur – është i nevojshëm një operacion i Protezës Totale të Gjurit.

Nëse nuk kryhet operacion çfarë mund të ndodhë?


Normalisht, osteoartriti i gjurit është progresiv dhe ankesat me kalimin e kohës shtohen. Kurse në disa pacientë ankesat janë të ndryshueshme; herë shtohen dhe herë-herë pacienti është i qetë. Nëse artriti i gjurit lihet në mëshirë të fatit nuk mund të pritet që ai të përmirësohet. Lëvizjet e gjurit sa vjen e kufizohen dhe në këtë situatë, për shkak se ecja e pacientit nuk është normale, shkaktohen dhimbje të ekstremiteteve të poshtme dhe të belit, mesit.

Sa është e suksesshme proteza totale e gjurit?
Në ditët e sotme, me anë të protezës totale të gjurit, është e mundur të arrihen rezultate të mira në vlerën mbi 95%. Pacientët mund të ecin pa nevojën e ndihmës me bastun, mund të ngjisin dhe zbresin shkallët si dhe mund të kryejnë aktivitete sportive ditore.
Nga faktorët më të rëndësishëm të cilët ndikojnë rezultatin e protezës totale të gjurit janë:
1. Përvoja e kirurgut në këtë fushë. Kirurgu i cili ka marrë edukimin e duhur mbi artroplastinë, me teknikën kirurgjikale dhe me pajisjet e duhura është i prirur që të shkaktojë shumë më pak komplikime dhe të ketë një shkallë suksesit më të lartë.
2. Marka e protezës – në Spitalin Amerikan përdoren Proteza Smith &Nephew, markë amerikane, protezat e së cilës janë të një niveli të lartë teknologjik, garantojnë përputhshmëri pothuajse absolute dhe tolerohen për një periudhë të gjatë kohe (biokompatibilitet).
3. Pacienti kompleks. Gjendja e përgjithshme, sëmundjet shoqëruese, bashkëpunimi me mjekun.

Trajtimi

Ky operacion konsiston në rikostruksionin e sipërfaqes së kockave të gjurit me vendosjen e një proteze, e cila, ashtu si gjuri normal ka sipërfaqe të lëmuara dhe është në gjendje të përballojë peshimin ne toke.

Periudha pas operacionit: Në ditët pas operacionit ka gjithmonë një ngritje të temperaturës e ndonjëherë arrin edhe mbi 38°, gjë që është e lidhur me procesin inflamator të operacionit. Kjo temperaturë mund të vazhdojë për disa ditë. Ditën e dytë pas operacionit, do të hiqen drenazhet e vendosura brenda gjurit. Nga ky moment mund të fillohet gjimnastika pasive e gjurit me anë të një makine të posaçme (kinetek).

Fizioterapistët e klinikës do të jenë në dispozicion të pacientit gjatë shtrimit për të bërë të mundur që ky i fundit të mësohet përsëri me qëndrimin drejt në këmbë dhe të fillojë të lëvizë. Përafërsisht në ditën e pestë ose të shtatë pas operacionit parashikohet dalja nga klinika.
Në shtëpi dhe në qendrën fizioterapike duhet të vazhdohet terapia mjekësore dhe fizioterapia sipas ushtrimeve që shpjegohen nga fizioterapisti në bazë të indikacioneve të kirurgut ortoped. Zakonisht, një aktivitet normal që mund t’i lejojë t’i jepet makinës apo të bëhet një shëtitje është parashikuar që të arrihet pas 30 ditësh nga ndërhyrja kirurgjikale. Kontrolli i parë pas do të bëhet pas 15 ditësh nga operacioni dhe do të bëhet heqja e penjve. Stafi do të këshillojë edhe se kur do të jetë e nevojshme të kryhen kontrollet klinike dhe radiologjike të mëtejshme.
Para kthimit në shtëpi është mirë që të largohet çdo gjë që mund të pengojë lëvizjen dhe që mund të jetë e rrezikshme (tapetet, fije, kafshë etj.)

Përmbledhje e periudhës pas operacionit

Ditën e operacionit

fillim i terapisë antitrombotike dhe analgjetike

Ditën e dytë

heqje e drenazheve dhe kateterëve të anestezisë. Fillim i fizioterapisë pasive. Ecje me paterica

Ditën e pestë-shtatë

dalja nga klinika

Ditën e tridhjetë

kontroll radiografik dhe rifillim i aktivitetit normal. Vazhdon fizioterapia dhe gjimnastika në palestër.

Pas 6 muajsh

kontroll radiografik

/Telegrafi/