Site icon Telegrafi

Ndërpritet protesta, banorët e Hades kërkojnë marrëveshje deri të hënën (Foto)

(E plotësuar) Banorët e disa lagjeve të fshatrave Hade dhe Shipitullë kanë ndërprerë protestën e sotme, pas arritjes së marrëveshjes për një takim të hënën me menaxhmentin e KEK-ut, Komunës së Obiliqit, MMPH-së dhe prokurorin e shtetit.

Ata kanë paralajmëruar se nëse nuk arrihet marrëveshje për ndërprerjen e punimeve të ekskavatorëve të KEK-ut, do të dalin serish në protestë edhe më masive.

Protestuesit kanë arritur marrëveshje me komandantin e policisë së rajonit të Obiliqit, Sejdi Zeqiri që të hënën në zyrat e policisë, të takohen me menaxhmentin e KEK-ut, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), kryetarin e komunës së Obiliqit Xhafer Gashi dhe prokurorin e shtetit, duke kërkuar që të ndërpriten punimet e ekskavatorëve të KEK-ut.

Me këtë rast protestuesit paralajmëruan se nëse të hënën deri në ora 15:00 nuk arrihet asnjë marrëveshje, ata do të zhvillojnë protesta më të ashpra te vija e sigurisë. Protestuesit e mbledhur nga lagjet Mirena, Krasniqi, Bërbatovci dhe Mjekiqi të fshatit Hade dhe Shipitull thonë se ekskavatorët e KEK-ut janë duke operuar brenda zonës së sigurisë në afërsi prej 120 metrash ku janë duke jetuar banorët.

Ata kanë tentuar t’i afrohen kufirit ku po punojnë ekskavatorët, por për këtë ata janë penguar nga Policia e Kosovës.

————————————————————————————————————————

Protestojnë banorët e Hades dhe Shipitullës, kërkojnë ndalimin e punës së ekskavatorëve të KEK-ut (Foto)

Banorët e disa lagjeve të fshatrave Hade dhe Shipitullë të komunës së Obiliqit janë duke protestuar me kërkesën për ndërprerjen e punës së ekskavatorëve të KEK-ut në pronat e tyre.

Protestuesit e mbledhur nga lagjet Mirena, Krasniqi, Bërbatovci dhe Mjekiqi të fshatit Hade dhe Shipitullë kërkojnë që, sipas ligjit të bëhet marrëveshja përfundimtare për kompensimin e pronave.

Ata thonë se ekskavatorët e KEK-ut janë duke operuar brenda zonës së sigurisë në afërsi prej 120 metrash ku janë duke jetuar banorët, raporton KP.

Protestuesit kanë tentuar t’i afrohen vendit ku po punojnë ekskavatorët, por për këtë ata janë penguar nga Policia e Kosovës.

Ata po kërkojnë që në vendin ku po mbahet protesta të vijë prokurori i shtetit, ndërkohë që kanë paralajmëruar vazhdimin e protestës për ditën e hënë dhe eskalim të situatës gjatë ditëve të ardhshme. /Telegrafi/

Exit mobile version