Policia në Mianmar ka qëlluar me plumba gome gjatë një demonstrate në kryeqytetin Nay Pyi Taw, derisa mijëra persona kundërshtuan ndalimin e protestave.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, mjetet me ujë dhe gazi lotsjellës janë përdorur gjithashtu kundër protestuesve, por raportet e përdorimit të plumbave të drejtpërdrejtë janë të pakonfirmuara.
Si pasojë e këtyre protestave një grua mbeti me një lëndim në kokë, dhe për momentin është në një gjendje kritike në spital.
Qytetarët po protestojnë kundër një grusht-shteti që largoi qeverinë e zgjedhur javën e kaluar. Kjo është edhe dita e katërt radhazi që ata protestojnë kundër këtij puçi nga ushtria vendase.
Në disa qytete është implementuar ndalimi i tubimeve të mëdha publike si dhe ora policore gjatë natës, derisa udhëheqësi ushtarak Min Aung Hlaing paralajmëron se askush nuk është mbi ligjin.
Protestuesit kanë kërkuar lirimin e udhëheqëses së zgjedhur, Aung San Suu Kyi, si dhe drejtuesve të lartë të partisë së së saj, Lidhja Kombëtare për Demokracinë (NLD). Suu Kyi u arrestua kur ushtria mori pushtetin. /Telegrafi/