Ashtu edhe siç kishin paralajmëruar, shoqata “Handikos” në Gjilan ka mbajtur protestën e cila, sipas tyre kishte për qëllim që t’i kujtonin kryetarit të kësaj komune se edhe personat me aftësi të kufizuar janë pjesë e shoqërisë.
Gjatë fjalimit, kryetari i kësaj shoqate, Fatmir Shurdhani, tha se ata kanë ndjekur të gjitha rrugët ligjore dhe demokratike në mënyrë që të mos ndërpriten shërbimet ndaj kësaj kategorie, raporton Telegrafi.
“Për të mos ardhur deri te kjo protestë të organizuar nga këshilli organizativ i protestës, ne Organizata e Personave me Aftësi të Kufizuara, kemi ndjekur të gjitha rrugët ligjore dhe demokratike në mënyrë që të mos ndërpriten shërbimet që ofrohen ne qendrën e QRBB-së për fëmijët me aftësi të kufizuara”, ka thënë ai.
Ndër të tjera, ai ka theksuar se në muajin janar të vitit 2024 në seancën e parë të Kuvendit Komunal kanë bërë një prezantim të punës gjatë vitit 2023 dhe kanë alarmuar se gjendja e kësaj organizate është e rënduar.
“Në muajin janar të vitit 2024 në seancën e parë të Kuvendit Komunal kemi bërë një prezantim të punës gjatë vitit 2023 dhe kemi alarmuar se gjendja e organizatave për vitin 2024 është e rënduar në aspektin financiar për të ofruar shërbime në qendër për fëmijët me aftësi të kufizuara”, ka theksuar ai, duke vazhduar se me gjithë përpjekjet e tyre për të takuar me kryetarin e Komunës së Gjilanit nuk kanë hasur në mirëkuptim.
Thirrjet e shumta dhe kërkesa për ta takuar kryetarin që kanë rezultuar negative, sipas kryetarit të kësaj organizate, shkelin ligjin për mbrojtje të fëmijëve.
“Me gjithë përpjekjet që kemi pas për t’u takuar me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, nuk kemi hasur asnjëherë në mirëkuptim. Kemi kërkuar edhe në mënyrë zyrtare të takohemi me kryetarin, por asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje nga ana e tij. Pamundësia për ta takuar kryetarin shkel ligjin për mbrojtjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara, ligji nr.06/L-084”, ka vazhduar ai në fjalim e tij.
Ai përfundoi duke kërkuar nga kryetari që të reflektoj dhe t’i zbatoj vendimet e Kuvendit Komunal, sepse sipas tij këto shërbime specifike që kanë, kanë të bëjnë me rehabilitimin dhe integrimin e shoqërisë.
“Kërkojmë nga kryetari që të reflektoj dhe t’i zbatoj vendit e Kuvendit Komunal, sepse këto shërbime janë shërbime specifike që kemi të bëjmë me rehabilitimin dhe integrimin në shoqëri, shërbime këto që nuk ofrohen nga institucionet tona, këto shërbime ofrohen nga OJQ tona”, ka përfunduar ai.
Ndërsa, njëri nga anëtarët e kësaj organizate tha se po na duket sikur kryetari i Komunës së Gjilanit na ka thënë të dalim në rrugë dhe të iu shohë edhe aty.
“Po na duket sikur kryetari na ka thënë dilni në rrugë dhe të iu shoh edhe aty, diçka që për neve nuk ka qenë mirë, por që është detyrim”, ka thënë ai, duke theksuar disa nga kërkesat e tyre si shoqëri.
“Deshta vetëm të i theksoj në pika të shkurta disa kërkesa të cilat në shoqërinë tonë, te personat me aftësi të kufizuara, funksionojnë që nga pas lufta dhe asnjëherë deri më sot nuk ka ndodhur që këto 20 vitet e fundit të historisë së Kosovës që kjo shoqatë të ketë një rënie nga i pari i Komunës së Gjilanit”, theksoi ai, duke përfunduar se si shoqatë i janë bazuar kryetari me shkresa duke u referuar edhe në ligje.
Ndërsa, njëri nga pjesëmarrësit e kësaj proteste, tha se mbyllja e kësaj organizate do të jetë e vështirë për të gjithë.
“Kjo do të jetë e vështirë për të gjithë. Të paktën fëmijët t’i marrin trajnimet ose ti sjellin në komunë e ti kryejnë shërbimet këta të komunës. Por që nuk munden me i kry askush.”, ka përfunduar ai.
“Alban Hyseni me ardhë në këtë ditë mos me muajt me i lëshu ato mjete të ndara nga Kuvendi Komunal për fëmijët me aftësi të kufizuara, për trajtimin dhe rehabilitimin e tyre. Këta asnjë, as kryetari e as të Kuvendit Komunal, nuk punojnë pa pare. Edhe këta kanë familje që janë nëpër shoqata që i kryjnë këto shërbime, shërbimë këto që duhet të paguhen”, ka theksuar ai, duke shtuar se nuk e sheh të arsyeshme që kjo shoqatë të mbyllet vetëm për faktin se kryetari Hyseni nuk i ka lëshuar mjetet e nevojshme financiare.
“Për Alban Hysenin me u mbyllë këto shoqata për ato mjete, nuk e shoh të arsyeshme”.
Ndryshe, përvec personave me aftësi të kufizuara pati edhe qytetarë të tjerë prezent. Policia ishte gjithashtu prezente për të parë nga afër mbarvajtjen e protestës, si dhe pati edhe përfaqësues nga instituti i mjekësisë. /Telegrafi/