Marka Tregtare është një shenjë e aftë të dallojnë mallrat ose shërbimet që prodhon ose jep një subjekt nga ato të një subjekti tjetër
Ardita Morina
Avokate
Ligji u jep njerëzve dhe bizneseve të drejta pronësie për informacione të caktuara dhe pronësi intelektuale që ata krijojnë, zakonisht për një periudhë të kufizuar kohore. Kësisoj, njerëzit mbrojnë idetë e tyre origjinale dhe parandalojnë kopjimin e paautorizuar. Mbrojtja ligjore stimulon inovacionin, ndërsa krijuesit nxjerrin përfitim më të madh dhe më shumë stimuj ekonomikë.
Pronësia industriale është një koncept juridik me të cilin merret një disiplinë e veçantë juridike dhe i referohet disa marrëdhënieve pronësore të vendosura nga autorët mbi produkte të caktuara të cilat mund të shfrytëzohen në kryerjen e veprimtarive ekonomike dhe për të cilat kjo pronë është e përcaktuar shprehimisht.
Si markë tregtare mund të shërbej secila nga kategoritë e shenjave:
▪ Fjalë (p.sh Bluetooth, Politico, Sanrio, etj.)
▪ Kombinim karaktersh alfa-numerike( shkronja me numër) p.sh HP, IBM etj.
▪ Logo (p.sh harku i dyfishtë, logoja e mirënjohur e kompanisë MCDonald’s).
▪ Vizatim: (Shenja e një programi të njohur kompjuterik kompanisë Apple).
▪ Formë ambalazhi (shenjë tre dimensionale, p.sh shishja e kompanisë Coca Cola),
▪ Kombinim i disa elementeve të mësipërme (p.sh. marka e kompanisë IBM).
Legjislacioni i disa vendeve, lejon edhe regjistrimin e markave tregtare të padukshme, siç janë ato të zërit dhe të erës produktive.
Marka tregtare mund të jetë individuale (që përket një subjekti të vetëm) ose kolektive (që i përket një shoqate subjektesh të ndryshme).
Në praktikë përpos markave tregtare ndahen edhe markat certifikuese – që janë jepen organizatave pronare të këtyre markave, subjekteve të ndryshme për të siguruar klientët së produktet, shërbimit e tyre që bartin këto standarde të caktuara.
Dallimi i markave tregtare kolektive dhe markave certifikuese qëndron në faktin se të parat mund të përdoren vetëm nga një grup i caktuar subjektesh (p.sh. anëtarë të një shoqate), ndërsa markat certifikuese mund të përdoren nga kushdo që përmbush standardet e përcaktuara nga pronari i markës certifikuese.
Marka e konformitetit është p.sh marka CE, që është një markë konformiteti CE e detyrueshme për t’u vendosur në produktet që shiten në zonën Ekonomike Evropiane, përfshirë Bashkimin Evropian dhe vendet e EFTA-së.
Marka CE vendoset në produkte nga prodhuesit e tyre për të garantuar se produktet plotësojnë kërkesat themelore të direktivave të Bashkimit Evropian (për Siguri, Shëndetësi, etj.).
Nëpërmjet regjistrimit, pronari i markës fiton të drejtën ekskluzive për të përdorur vetë atë, për të ndaluar përdorimin e paautorizuar, kopjimin, imitimin, prodhimin, importimin, eksportimin, shitjen e markës ose të produkteve nga palët e treta pa autorizimin e tij gjë që përbënë edhe thelbin e së drejtës së fituar përmes regjistrimit.
Regjistrimi i një marke tregtare bëhet sipas procedurave të përcaktuara sipas Ligjit për Markat Tregtare dhe në rregulloren përkatëse të Agjencisë së Pronësisë Industriale të Republikës së Kosovës.
Për çdo markë paraqitet aplikim në vete. Kur bëhet një aplikim për markë, Agjencia për Pronësi Industriale (API) bënë shqyrtimin formal, shqyrtimin për dallueshmëri, publikimin, shqyrtimin për të drejtat e mëparshme dhe regjistrimin.
Nëse pronarit të një marke i duhet të regjistrojë atë për mbrojtje përpos vendit të tij edhe në vendet e tjera, atëherë duhet të aplikojë për regjistrimin e markës në të gjitha zyrat kombëtare të markave ku kërkohet mbrojtje gjë që kjo është e kushtueshme dhe kërkon kohë. /Telegrafi/