Pronari i klubit ikonik anglez të futbollit, Millwall, John Berylson (70 vjeç) vdiq në një aksident të rëndë me makinë, konfirmoi ekipi i Championship.
Klubi anglez ka lëshuar një deklaratë në orët e vona të mbrëmjes së martë, ndërsa për momentin nuk dihen detajet e aksidentit.
“Me mosbesim dhe pikëllim të madh informojmë publikun se John Berylson, pronari i klubit ka ndërruar jetë. Të gjithë në klub janë me gruan e tij Amy dhe tre fëmijët e tij, si dhe me pjesën tjetër të familjes së tij”.
“Vdekja e papritur e John do të ndikojë tek të gjithë ata që patën fatin ta njohin. Ai ishte një njeri i madh, tepër i përkushtuar ndaj familjes së tij dhe një person me bujari, ngrohtësi dhe dashamirësi të madhe. Ai kishte një jetë të kompletuar, plot ngjyra, mirësi dhe gëzim”, thuhet në njoftim.
— Millwall FC (@MillwallFC) July 4, 2023
Biznesmeni dhe milioneri amerikan mbërriti në krye të Millwallit 17 vjet më parë dhe me familjen e tij themeloi një fondacion që ishte përgjegjës për të ndihmuar fëmijët në arsimimin e tyre në Boston.
Mediat britanike shkruajnë se ai ka investuar më shumë se 100 milionë euro në klubin anglez.
Ai e mori drejtimin pasi klubi ra në divizionin e tretë dhe me dy sezone të luajtura në atë rang, skuadra nga pjesa lindore e Londrës është pjesëmarrëse standarde në Championship. /Telegrafi/