Njerëzit thonë se qeni është shoku më i ngushtë i njeriut dhe, sipas një anketimi të ri, ata njerëz e kanë me të drejtë.
Një anketim i kryer nga “GSS” ka zbuluar se 36% e pronarëve të qenve raportojnë se ndihen “shumë të lumtur”, krahasuar me vetëm 18% të pronarëve të maceve, transmeton Telegrafi.
Normalisht, posedimi i një qeni nuk është e vetmja gjë që kontribuon në nivelet e lumturisë të një personi.
P.sh., zbulimet e këtij anketimi, siç raportohet në “The Washington Post”, gjithashtu kanë zbuluar se pronarët e qenve janë më të prirë të jenë të martuar dhe t’i kenë shtëpitë e tyre, e që të dyja këto janë faktorë të njohur që kontribuojnë për një kënaqësi më të madhe në jetë.
Ky anketim i fundit është kryer mes muajve prill dhe nëntor të vitit të kaluar, por nuk është i vetmi studim që ka analizuar përfitimet e të poseduarit qen apo mace.
Një studim tjetër kishte zbuluar se pronarët e qenve ecin mesatarisht 1,400 kilometra në vit, gjë e cila jo vetëm se kontribuon që ata të kenë trup më në formë, por edhe nivele më të mira të shëndetit mendor dhe më pak stres.
Megjithatë, pronarët e maceve nuk duhet të hidhërohen.
Ndonëse macja mund t’ju injorojë dhe të mos ndihet e gëzuar kur ktheheni në shtëpi pas pune, hulumtimet e mëhershme kanë dëshmuar se njerëzit në përgjithësi përfitojnë kur mbajnë kafshë shtëpiake. Po pra, çfarëdo kafshe shtëpiake. /Telegrafi/