Site icon Telegrafi

Promovohet libri “Shtëpia me gjak në mure”, që dëshmon për krimet serbe në Kosovë

25 vjet më parë më 17 prill 1999 forcat serbe vranë 53 shqiptarë, përfshirë 24 fëmijë, në një nga masakrat më të rënda të luftës së Kosovës, në fshatin Poklek të komunës së Drenasit.

Ndërsa, sot në po këtë shtëpi është promovuar libri “Shtëpia me gjak në mure”, nga autori Afrim Hysenaj, shkruan Telegrafi.

Fadil Muqolli, i cili humbi 14 anëtarë të familjes në po këtë masakër tha se botimi i këtij libri e ka gëzuar,  pasi në hapësirat e atij oborri që nga pas lufta nuk ka përjetua gëzim.

Fadil Muqolli, familjar i viktimave të Masakrës së Poklekut

“Prej mas lufte e deri sot më ka ndodh veç dy herë me u ndie mirë. Kur ja kanë fillua me punua këtu edhe kjo ditë që u përurua libri. Ditë më të mirë nga lufta rreth këtij vendi unë nuk kam përjetua. Ndoshta njerëzit nuk e kuptojnë e ju duket e çuditshme mu ndie mirë që është shkrua një libër që janë vra 14 anëtarë të familjes, veç unë jam ndjerë jashtëzakonisht mirë. I falënderoj të gjithë dhe ju jam mirënjohës”, tha ai.

Afrim Hysenaj, autori i librit tha se idenë për ta shkruar librin e ka pas që nga koha e luftës kur edhe ka ndodhur Masakra e Poklekut.

“Monografia për librin “Shtëpia me gjak në mure”, është shkruar për krimin më çnjerëzorë në fund shekullin e XX, i njohur në opinionin vendor dhe ndërkombëtarë me emrin Masakra e Poklekut e kryer nga forcat e armatosura serbe me 17 prill 1999. Idenë për këtë libër e kam pas që në kohën e luftës, pastaj edhe pas luftës. Me të mbijetuarit e krimit dhe me familjarët e tyre, e pas vizitave të shpeshta në këtë vend me përplot dhimbje dhe kujtesë, pas më shumë se dy vitesh punë dhe angazhim të pandalshëm me familjet Muqolli, Elshani, Caraku dhe Hoxha, dhe pas përkrahjes nga Ministria e Kultures dhe shtëpia botuese Armagedoni, arritëm ta botojmë këtë libër”, tha ai.

Afrim Hysenaj, autori i librit

Ndër të tjera ai u shpreh se e ka ndjerë obligim kombëtar që ta dokumentonte secilin rrëfim te të mbijetuarve dhe familjarëve të dëshmorëve.

“Sa herë që vijë këtu sa herë që takohem me familjarët e të mbijetuarve, e sa herë që dëgjoja rrëfimet e tyre obligimi kombëtarë më shtohej  për ta dokumentuar gjenocidin e Serbisë në Kosovë.

Në këtë libër flasin të mbijetuarit dhe dëshmitarët, kujtesa e tyre ende është e freskët, traumat e tyre u vlojnë në shpirt dhe mendje. Gjurmët e krimit ende janë këtu në shtëpinë e shpallur muze”, tha ai.

Në mesin e gjashtë të mbijetuarve të masakrës ishte Elhame Muqolli, e cila tha se tanimë ka pak shpresë që dikush do të dalë para drejtësisë.

Elhame Muqolli, e mbijetuar e Masakrës së Poklekut

“Me 17 prill 1999 tragjedia dhe dhimbja na goditën në mënyrën më të pamëshirshme por ajo ditë shënoi gjithashtu një luftë  të re për ne, luftën për të dëshmuar dhe kërkuar drejtësi. kjo betejë është bërë pjesë e përditshmërisë sonë, një përpjekje e vazhdueshme që zëri ynë të dëgjohet në Kosovë dhe përtej saj. Ka kaluar një çerek shekulli dhe unë qëndroj para jush me pak shpresë se do të shoh oborret e këtij krimi para drejtësisë gjatë jetës sime”, tha ajo.

Lexo po ashtu Masakra nga forcat serbe në Poklek të Drenasit ndaj 53 civilëve, Kurti: Edhe sot muret janë të mbuluara me gjakun e të vrarëve

Në këtë promovim të librit mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti dhe figura të tjera të rëndësishme shtetërore e politike. /Telegrafi/

Exit mobile version