Pas rrahjes brutale të politikanit Nikolla Sanduloviq nga zyrtarë e shtetit serb, përkatësisht anëtarë të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), ka reaguar Prokuroria e Dytë Themelore Publike në Beograd.
Kryetari i Partisë Republikane të Serbisë ishte rrahur një ditë pasi kishte publikuar video në rrjetet sociale teksa kryen homazhe në varrezat e familjes Jashari në Prekaz dhe ka kërkuar falje për krimet e Serbisë në vitin 199 në Kosovë.
Megjithatë, pavarësisht videove dhe fotografive të ndryshme, Prokuroria serbe sikurse BIA-n, deklarojnë se nuk ka asgjë të vërtetë, raporton nova.rs.
“Kemi filluar mbledhjen e provave, ndër të tjera, edhe listat e daljes nga Klinika VMA – Klinikë Neurologjike e datës 4 janar 2024, në emër të Nikola Sanduloviqit, nga e cila shihet qartë se nuk janë konstatuar lëndime fizike. Nisur nga sa më sipër, nga provat e deritanishme të mbledhura nuk rezulton konstatimi i ekzistencës së pretendimeve mjaftueshëm bindëse dhe indikacioneve të qarta se në rastin konkret ka ndodhur abuzim”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Kujtojmë se lideri i Partisë Republikane, Nikolla Sanduloviq është arrestuar më 3 janar dhe siç ka thënë avokati i tij, Çedomir Stojkoviq, ai është rrahur brutalisht në ambientet e Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA).
Sanduloviq pasi ishte arrestuar ishte dërguar në ambientet e BIA-s, ku pesëmbëdhjetë persona të maskuar e rrahën brutalisht për katër orë, sipas avokatit të tij.
I ka rënë të fikët disa herë dhe në fund është thirrur një ambulancë dhe është transferuar në Akademinë Mjekësore Ushtarake në Departamentin e Neurokirurgjisë.
Ndryshe, BIA ditë më parë ka njoftuar se nuk e ka rrahur Sanduloviqin, por paralajmëron secilin që promovon pavarësinë e Kosovës. /Telegrafi/