Telegrafi

Prokuroria e Parisit nisi hetim kundër PSG-së për mashtrim financiar

Pasi Juventusi u dënua me heqjen e 15 pikëve për shkak të mashtrimit financiar,   nga dje ka lajmet se Manchester City mund të përjashtohet edhe nga liga për shkak të gjërave të ngjashme, por një tjetër gjigant është vënë nën kritika për mashtrim të mundshëm.

Bëhet fjalë për kampionin francez PSG, ndërsa L’Equipe shkruan se prokuroria e Parisit ka hapur një hetim paraprak ndaj klubit dhe presidentit të tij Nasser Al-Khelaifi me akuzën se ka kryer disa punë fshehtas.

Përkatësisht, ky hetim u nxit nga një ankesë e paraqitur në dhjetor 2022 nga Hicham Bouajila, një ish-këshilltar i Al-Khelaifi.

Aty thuhet se Bouajila ka punuar për vite me radhë për PSG-në dhe Al-Khelaifi, por rrogën e tij sporadike dhe të parregullt e paguante akademia e tenisit Smash nga Doha, me të cilën ai nuk kishte asnjë lidhje dhe nuk luante tenis.

Kontrata në fjalë, e nënshkruar në korrik të vitit 2015, lidhej me pozitën e pretenduar të mësuesit të tenisit dhe ishte nënshkruar për një periudhë të pacaktuar.

Hetimi iu caktua departamentit të 16-të të policisë në Paris, ku ndodhet selia e klubit.

Kur u kontaktua nga L’Équipe, PSG deklaroi se Bouajila nuk ishte punësuar kurrë nga PSG ose beIN./Telegrafi/