Prokuroria Themelore në Gjilan ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmarrë veprime hetimore, pas raportimit se persona të paautorizuar dyshohet se kanë hyrë në zyrën e drejtoreshës së Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Gjilan, Herolinda Murati-Leka.
Kjo u bë e ditur përmes një përgjigje me shkrim për Telegrafin nga Prokuroria Themelore në Gjilan.
Murati-Leka, e cila ka dhënë dorëheqje ditë më parë, ka adresuar këtë shqetësim në Policinë Rajonale të Gjilanit.
Sipas saj, ndërhyrja e paautorizuar në zyrën e saj është një nga arsyet që e ka shtyrë të largohet nga posti.
“Persona të pautorizuar dyshohen se kanë hyrë në zyrën time kur unë nuk kam qenë në ambientet e punës. Ky akt është një mesazh i qartë i pasigurisë institucionale dhe një tentativë për të më treguar se nuk jam e dëshiruar në këtë qeverisje komunale”, ka shkruar Murati-Leka. /Telegrafi/