Telegrafi

Projektet kapitale të premtuara për realizim nga komuna, PDK në Gjilan: Veprime vetëm në letër

Projektet kapitale të premtuara nga komuna për realizim, Partia Demokratike e Kosovës në Gjilan i cilëson vetëm si veprime në letër.

Shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti i ka renditur humbjet në buxhet nga ana e komunës për mosrealizimin e projekteve të premtuara.

Sipas Rashiti, komuna po i humb 6 milionë euro për projektin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në qytet.

“Në buxhetin e vitit 2024 janë të ndarë 6 milionë euro për projektin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në qytetin e Gjilanit. Edhe në vitin 2023 poashtu ishin të ndara 6 milion euro buxhet për këtë projekt. Pra janë 12 milion euro buxhet i ndarë në planifikim dhe që nuk po shfrytëzohet për këtë projekt tejet të rëndësishëm për qytetarët tanë”, ka thënë Rashiti.

Rashiti thotë se projekti ishte i gatshëm, mirëpo sipas tij, qeverisja aktuale nuk është e aftë t’a nisë dhe ta përfundoj projektin.

“Komuna e Gjilanit e udhëhequr nga qeverisja e organizatës së VV-së, nuk është e aftë që të nis as këtë projekt të cilin e ka gjetur 100% të gatshëm, të projektuar, të tenderuar, të kontraktuar kompaninë që do t’a ekzekutojë projektin, buxhetin e gatshëm. E vetmja sfidë në këtë projekt ka qenë shpronësimi, për të cilin aspak nuk janë angazhur me pronarët e tokave të gjejnë rrugën e marrëveshjes”, ka thënë tutje ai.

Tutje, Rashiti thotë se komuna po i humb edhe 1 milion euro buxhet për bulevardin e qytetit të Gjilanit.

“Më 18 shkurt 2024 është prezantuar projekti i bulevardit të qytetit të Gjilanit në vlerë prej 20 milion euro. Buxheti prej një milion euro është ndarë komunës së Gjilanit për vitin 2024. Paaftësisa, mospuna dhe mosdija janë shkaktar i kësaj katrahure në qeverisjen e Gjilanit dhe të Kosovës”, ka thënë tutje ai.

Ai thekson se deri më tash asnjë veprim nuk është ndërmarrë nga Komuna e Gjilanit për të përfunduar projektet kapitale. /Telegrafi/