Site icon Telegrafi

Projekt buxheti i finalizuar nga Ekzekutivi i Prizrenit me 71 milionë euro shqyrtohet nga komitetet e përhershme

Projekt buxheti i Komunës së Prizrenit për vitin 2025 është finalizuar nga qeveria lokale. I njëjti është dorëzuar tek kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Antigona Berisha Bytyqi për vazhdimin e procedurave të mëtejme ligjore.

Kësisoj komitetet e përhershme të Kuvendit të Komunës së Prizrenit kanë bërë të ditur se do ta shqyrtojnë projekt buxhetin për vitin 2025, raporton Telegrafi.

Sipas njoftimit, Komiteti për Komunitete në mbledhjen e rregullt të caktuar për ditën e enjte në rend dite ka diskutimin rreth projekt buxhetit për vitin 2025 të Komunës së Prizrenit, sikurse edhe paraqitjen e kërkesave dhe propozimeve rreth projekteve, në praninë e zyrtarëve të lartë komunalë dhe të Drejtorisë për Buxhet e Financa.

Ndërkaq Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) ka njoftuar se me datën 3 shtator 2024 organizon dëgjim publik me qytetarë për përgatitjen e buxhetit për vitin 2025, në sallën e Kuvendit të Komunës.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ditë më parë ka njoftuar finalizimin e projekt buxhetit pas dëgjimeve publike me grupet e ndryshme të komunitetit.

“Pas një periudhe intensive dëgjimesh publike dhe angazhimi të gjithanshëm me qytetarët, përfaqësuesit e fshatrave, OJQ-ve, shoqatave dhe biznesit, jemi të lumtur të njoftojmë për përfundimin e projektit të buxhetit për vitin 2025, i cili projekt është bërë duke marrë parasysh të gjitha kërkesat, sugjerimet dhe idetë e qytetarëve si dhe është finalizuar me energji dhe përkushtim nga grupi i zyrtarëve komunalë të angazhuar në hartimin e buxhetit”.

Dëgjimet publike, sipas tij, kanë ofruar mundësi për qytetarët që të kontribuojnë me propozime dhe se “ky proces ka qenë thelbësor për të siguruar që buxheti t’i reflektojë nevojat dhe prioritetet e komunitetit”.

Totaj duke njoftuar se projekt buxhetin ia ka dorëzuar kryesueses së Kuvendit, ka shprehur qëndrimin se ajo do të vazhdojë me procedurat e nevojshme ligjore deri në miratimin përfundimtar të buxhetit për vitin 2025 nga anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, raporton Telegrafi.

“Pas miratimit në Kuvend, buxheti do të publikohet në ueb faqen zyrtare të Komunës së Prizrenit, për transparencë dhe qasje të gjerë për të gjithë qytetarët”, ka theksuar Totaj.

Buxheti i paraparë i Komunës së Prizrenit për vitin 2025 është rreth 71 milionë euro, prej të cilave 21.5 milionë euro janë të planifikuara për investime kapitale. /Telegrafi/

Exit mobile version