Telegrafi

Programi special i DokuFestit kushtuar filmit sivjet vjen me tre dokumentarë

Programi special i DokuFestit që i dedikohet vetëm filmit, në edicionin e 23-të të festivalit, vjen me një përzgjedhje të tre dokumentarëve të veçantë, me titullin “Ode Tu Celluloid: Films on Film”.

Në njoftimin e DokuFestit thuhet se tre filmat dokumentarë përfaqësojnë pasionin e festivalit për të hulumtuar të kaluarën e kinemasë dhe fiksimin ndaj filmit.

“Në përputhje me eksplorimin tonë të gjatë të asaj se çfarë është kinemaja, historia dhe përfaqësimi i saj, ne jemi të lumtur të sjellim në festival tre dokumentarë të veçantë me metrazh të gjatë që në njëfarë mënyre ndajnë të njëjtin fiksim si ne”, thuhet në njoftimin e DokuFestit, raporton Telegrafi.

Aty sqarohet se në filmin “Celluloid Underground” të regjisorit Ehsan Khoshbakht, “ne njihemi me Ahmad Jorghanian, një koleksionist filmash, një lloj Henri Langlois iranian, koleksionet e të cilit prej më shumë se 5,000 filmave dhe posterëve janë renditur mbi njëra tjetrën në bodrume dhe banesa anembanë Teheranit”. “Në Iran, e cila i ndalonte ato si një dekadencë e Perëndimit. Dhe për t’i shpëtuar ato ne takojmë Ehsanin, një djalosh që punon pa u lodhur përkrah Ahmedit. Një odë për kinefilinë dhe një miqësie të bazuar në të që rrallë e shohim në ekran”, thuhet në njoftim.

Filmi i radhës në këtë program special është “Film is dead. Long live film!” i regjisorit Peter Flynn. “Një tjetër film, një tjetër histori e filmave të panumërt të shpëtuar nga harresa, këtë herë në kujtim të koleksionistëve të filmave”, shkruan në njoftim, raporton Telegrafi.

Ndërkaq kjo përzgjedhje e vogël përmbyllet me filmin që paraqet përpjekjet e përbashkëta të Matevž Jerman dhe Jurij Meden për të nxjerrë në dritë një thesar të kinemasë avangarde dhe eksperimentale sllovene të realizuar pas Luftës së Dytë Botërore dhe deri në fillim të viteve ’90, në Alpe-Adria Underground!

Edicioni i 23-të i DokuFestit mbahet nga 2 deri më 10 gusht në Prizren. /Telegrafi/