Site icon Telegrafi

Prof. dr. Nazim S. Gruda – shkencëtari i përkushtuar, ‘Georgofili’ shqiptar dhe miku i hortikulturës!

Prof. Nazim Gruda është emër i respektuar jo vetëm në shkencën kombëtare, por edhe në atë ndërkombëtare. Ky shkencëtar sa modest aq edhe i përkushtuar, ka hyrë tashmë thellë në hullitë e shkencës, sidomos në studimin e hortikulturës, prandaj me të drejtë mund të quhet edhe miku i saj

Ai ka kryer e po kryen një sërë projektesh, të cilat kanë një peshë të përfillshme shkencore. Pak ditë më parë ju njoftuam për librin e tij të fundit, një vepër madhore me pjesëmarrjen e disa shkencëtareve të njohur nga e gjithë bota.

Për të mësuar më shumë për këndvështrimin e Akademikut Gruda ndaj bujqësisë së hershme e të sotme e rëndësisë së saj mbarëshqiptare, nevojën e ngutshme për të mbrojtur planetin tonë, vlerën e botimeve dhe disa hollësi artistike e atdhedashëse, ne zhvilluam një intervistë ekskluzive, të cilën ju ftojmë ta lexoni.

Prof. Gruda, ju jeni anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, prej vitesh i vetmi në fushën e bujqësisë dhe së fundi u zgjodhët anëtar korrespondent i Akademisë Georgofili. A mund të na flisni diçka për këtë Akademi dhe se si ndjeheni Ju?

Prof. Gruda: Akademia Georgofili është themeluar në vitin 1753 në Firence të Italisë dhe është institucioni më i vjetër në botë për bujqësinë, mjedisin dhe ushqimin. Por Akademia Georgofili, e cila lindi në frymën kozmopolite të iluminizmit është jo vetëm historikisht e rëndësishme. Ajo në më shumë se 250 vite ka arritur të ringjallë lidhjet ndërmjet bujqësisë kombëtare italiane dhe asaj ndërkombëtare. Në plan të parë të promovimit të Akademisë Georgofili së sotme është përparimi i shkencës dhe zbatimet e saj në bujqësi, mbrojtja e mjedisit, zhvillimi rural dhe ai i ushqimit.

Kuptohem që ndihem i nderuar, por ky nder i takon:

– në radhë të parë familjes, prindërve, e në veçanti nënës sime që më rriti me kërkesa ndaj vetes;
– së dyti, pedagogëve të Universitetit Bujqësor në Tiranë, që më edukuan nga ana shkencore që çdo dukuri ta shoh në qasjen e rrethanave që ajo ndodh, dhe
– së treti, institucioneve gjermane në fushën e bujqësisë, mjedisit e ushqimit, që më dhanë mundësinë e zgjerimit, thellimit dhe zbatimit praktik të njohurive të fituara.

Ndoshta do të ishte me interes për lexuesin për të ditur së pari, çfarë do të thotë Georgofili?

Prof. Gruda: Emri “Georgofili” vjen nga greqishtja dhe do të thotë “ndjekës/mik i bujqësisë”. Georg është një formë e emrit grek Γεώργιος (shqiptimi i lashtë grek Geōrgios, shqiptimi i sotëm Jórgos). Ky emër është shumë i përhapur dhe gjendet thuajse në të gjitha gjuhët, kryesisht për persona të krishterë të gjinisë mashkullore: Xhorxh (George, anglisht), Georgi (bullgarisht), Georges (frëngjisht), Georgios, Jorgo (greqisht), Georg, Jorg, Jörg, Jürgen (gjermanisht), Xhorxhio (Giorgio, italisht), Juraj, Jure, Jura, Juro (kroatisht), Gjorgji (Ѓорѓи), Georgievski (maqedonisht), Georgescu, Gheorghe (rumanisht), Georgi (Георгий) (rusisht), Đorđe, Đuro (serbisht), Georgius, Juraj, Jure, Jurij, Juro (sllovenisht), Jorge (spanjisht), Yorgi, Yorgo (turqisht) (shënim: parimi fonetik i zbatuar pjesërisht).

Edhe në shqip e gjejmë emrin Gjergj, sikurse thirrej edhe heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, shumë të përhapur.

Në vitin 37-29 para erës së re, Virgjili botoi poemën me katër vëllime “Georgica” (çështje të bujqësisë), çka ndikoi në shumë autorë të lashtësisë e deri në ditët tona për të trajtuar në mënyrë letrare, duke himnizuar jetën dhe veprimtarinë bujqësore. Së paku që atëherë, gjeorgjik quhen autorët klasikë dhe intelektualët e shquar, që (kanë) trajtojnë e himnizojnë jetën dhe veprimtarinë bujqësore. Si gjeorgjikë mund të përmenden Aristoteli, Hesiodi, Horaci, Columella, Lukreci, Plini i Vjetër, Virgjili, De Crescenzi etj.

Si gjeorgjikë shqiptarë mund të quhen rilindasit e shquar, si vëllezërit Naim e Sami Frashëri, Ndre Mjeda, Mitrush Kuteli etj.

Me zhvillimin e fushave të tjera të shkencave bujqësore e natyrore si edhe të shkencave të jetës në tërësi, qasjet dhe përcjelljet në bujqësi u bënë gjithnjë e më tepër pronë e përsiatjeve të fushës përkatëse, bujqësisë dhe shkencave të saja.

Të faleminderit për këto plotësime që me siguri janë shumë të vlefshme për lexuesin. Megjithatë sot industria ka përparësi ndaj bujqësisë, së paku nga ana e biznesit, edhe qyteti ndaj fshatit, nga ana kulturore. A nuk ka një kundërshtim me sa thatë ju më parë për himnizimin e bujqësisë?

Prof. Gruda: Çdo gjë duhet trajtuar në mënyrë kritike dhe parë në rrethanat e kohës. Kur flasim për zhvillimet kohore, duhet mos harruar se kur kanë lindur këto zhvillime. Në bujqësi fillesat duhen kërkuar në periudhën neolitike. Që andej kemi të bëjmë me kalimet nga zbutja e kafshëve në selitjen, kultivimin, e bimëve. Kjo është e rëndësishme, sepse për herë të parë kemi të bëjmë me kalimin nga jeta endacake në atë ndenjëse. Ky proces zgjati disa mijëravjeçarë, ndaj historikisht bujqësia dhe ushtrimi i saj tregojnë përparim dhe janë të lidhura ngushtë me civilizimin e shoqërisë duke patur ndikime të ndërsjella.

Është pikërisht ky një çast, që preket shpesh nga qarqe joshqiptarodashës, që mëtojnë se paraardhësit tanë ishin shumë-shumë blegtorë shtegtues dhe jo bujq të mirëfilltë.

Por, historia, dhe kur them historia nuk nënkuptoj vetëm atë por edhe shkencat e tjera, sikurse arkeologjia, etnografia, gjuhësia, letërsia, antropologjia etj., tregojnë se të parët tanë, fiset Ilire, të ndodhur në zemrën e pellgut mesdhetar, kanë qenë jo vetëm të prekura nga këto ndryshime, por ata kanë luajtur një rol vendimtar në këto zhvillime. Kjo dëshmohet si nga veprat e artit të asaj kohe, mjetet bujqësore, gjetjet arkeologjike në vendbanimet e tyre, fjalët e urta, dokumentet kanunore, thëniet a autoreve të lashtësisë greke e romake e deri tek toponimet apo gatesat tradicionare të dëshmuara mbi bazën e etnobotanikës.

Nuk dua të zgjatem në këtë pikë, që për morinë e dëshmive si edhe të ndërthurjes së lëmive shkencore do t’i kapërcente caqet e këtij bashkëbisedimi, por me lejoni të përmend vetëm dy fakte: farat e karbonizuara të drithërave dhe bishtajoreve të gjetura në vendbanime ilire, si p.sh. ato të Maliqit, datojnë në vitet 4500-4000 p.e.s. dhe nga neoliti deri në erën tonë, pra deri para 2021 vitesh, në trojet tona janë selitur rreth 31 bimë bujqësore. Ndaj marrja me bujqësia për ne shqiptarët nuk është vetëm thjesht një paraqitje e traditës, por ka një rëndësi mbarëkombëtare. Ajo tregon jo vetëm zotërimin e disa praktikave, por është dëshmi e autoktonitetit tonë në këto troje si edhe e civilizimit të hershëm të të parëve tanë.

Nga ana tjetër, edhe pyetja juaj është e drejtë. Nëse më parë ishte toka e rëndësishme, tanimë është prodhimi, dhe kjo që nga koha e revolucioneve industriale, d.m.th. që industria me prodhimet e saj, ka fituar e fiton gjithnjë e më shumë vlerë, jo vetëm monetare. Por këtu, janë të përfshira edhe prodhimet bujqësore.

Industria dhe zhvillimit e fundit në shkencë e teknikë luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në bujqësinë moderne. Bujku i sotëm nuk i përngjet atij të shkuar, ai duhet te zotërojë jo vetëm drejtimin e makinave për të punuar tokën, por edhe teknikat e përpunimit të prodhimeve bujqësore, deri sa ata të largohen nga ferma, duhet të zotërojë kompjuterin, si edhe të ndjekë zhvillimet bashkëkohore duke ndihmësuar në mbrojtjen e ndryshimeve të klimës, krahas ruajtjes së mjedisit.

Janë këto zhvillimet e fundit në bujqësi?

Prof. Gruda: Po padyshim, por ato janë vetëm disa prej tyre. Çfarë nuk përmenda më parë enkas, është edhe përfshirja e dijeve nga shkenca të tilla si Inteligjenca Artificiale dhe Bioteknologjia. Këto duket të jenë dy nga drejtimet e rëndësishme jo vetëm në bujqësi, por edhe në bujqësi. Madje shpeshherë flitet edhe për një revolucion dixhital që sapo ka filluar.

Profesori Nazim Gruda gjatë mbajtjes së një kumtese shkencore

Rruga e shkencës është një rrugë e gjatë. A ishte e lehtë apo e vështirë, rruga e ndjekur nga Ju dhe ju është dashur konsekuencë që të përballoni peshën e kësaj këmbënguljeje?

Prof. Gruda: Është e vërtetë që rruga e shkencës është e gjatë dhe pa këmbëngulje ajo është e pamundur. Por megjithatë ajo është edhe një rrugë, që të jep kënaqësi dhe sikurse është shprehur në mënyrë figurative një mentor im, puna e shkencëtarit i përngjet punës së muratorit: çdo ditë ai vë një gur në murin e tij dhe kështu nga dita në ditë ky mur lartohet.

Para disa ditësh u shënua Dita Ndërkombëtare e Tokës, një ditë e veçantë për t’i shprehur mirënjohjen tonë Planetit Tokë, i cili mbështet të gjitha format e jetës. A po rrezikohet Toka nga njeriu dhe globalizmi e faktorët e tjerë?

Prof. Gruda: Nuk mendoj se toka po rrezikohet nga globalizmi. Globalizmi është i pashmangshëm dhe ai ka jo vetëm pikëpyetje, por edhe dobi. Le të kujtojmë këtu thjeshtësinë e komunikimit përmes internetit, por edhe atë të përditësimit të mendimit në vende jo shumë të zhvilluara. Më parë shquheshim shkencëtarët e vendeve të perëndimit, për të mbetur në Evropë; sot kushdo që do të ecë përpara i ka së paku rrugët e informimit shkencor të hapura. Kjo ka bërë që shumë nga vajzat e djemtë tanë ta kenë shumë më të lehtë qasjen dhe përfuqizimin e tyre në universitete apo institucione shkencore në të gjithë botën. Pra jo globalizmi, por mënyra se si sillemi ne ndaj tij, se si e zbatojmë atë, është e rëndësishme.

Megjithatë, për t’u kthyer tek pyetja juaj e parë, shkenca dhe të gjithë ne duhet të bëjmë shumë më tepër për Tokën. Është e vërtetë që situata sot është shumë e ngarkuar nga pandemia virusale. Disa po luftojnë me jetën e tyre, të tjerë sidomos ato në moshë të thyer, janë ngujuar dhe ndarë nga të afërmit.

Shkencëtarët e fushës na mësojnë, që kjo gjendje do të vijojë edhe disa kohë. Por ndërsa për virusin kemi gjetur jo një por disa vaksina, ne nuk zotërojmë asnjë vaksinë për mbrojtjen e planetit dhe ndryshimeve të klimës. Ndaj për planetin Tokë duhet të kujdesemi ne si specialistë, por edhe ne si përdorues, konsumatorë. Kur them si specialistë mendoj të gjitha llojet e veprimtarive humane, nga të gjitha fushat, si transporti, energjia, ndërtimtaria, industria, por edhe bujqësia. Veçoria e bujqësisë qëndron në rolin e saj të dyfishtë: nga njëra anë bujqësia ndikon në rritjen e emisioneve të dëmshme për klimën dhe planetin, nga ana tjetër ndryshimet në klimë do të kenë një veprim të drejtpërdrejtë në proceset dhe prodhimet bujqësore.

Së bashku me disa kolegë, ne kemi analizuar disa skenarë të ndryshimit të klimës në të ardhmen që drejtpërdrejtë ose tërthorazi kanë ndikim në hortikulturë. Edhe në takimin e pritshëm të Grupit të punës së FAO-së për serrat në Evropën Juglindore, që po organizojmë këtë kohë, që nëse do të na lejojë epidemia do të mbahet në Ohër të Maqedonisë Veriore në shtator të këtij viti, një nga pikat më të rëndësishme të diskutimeve do i kushtohet këtyre ndryshimeve si edhe masave që duhen marrë për të zbutur ose mënjanuar këto ndryshime.

Por angazhimet si nga ana profesionale, ashtu edhe dhe nga ana jonë si individë, nuk mjaftojnë. Që dijet nga shkencat e ndryshme të zbatohen, ato duhet të rregullohen sipas ligjit dhe për këtë kërkohen së pari ndryshime politike.

Mbas një periudhe fjetjeje katërvjeçare të administratës së vjetër në SHBA, një nga drejtimet e para që dha presidenti i sotëm ishte organizimi i takimit ndërkombëtar me pjesëmarrjen edhe të Kinës, Rusisë, Britanisë së Madhe, Bashkimit Evropian (BE), etj. BE ka objektiva të përparuara dhe po kështu edhe shtetet evropiane, kryesisht ato të Evropës Qendrore. Edhe në Gjermani, objektivat deri në vitin 2030 janë të përcaktuara me ligj. Megjithatë para disa ditësh Gjykata Kushtetuese kërkoi përmirësimin e ligjit për periudhën nga viti 2031 deri në vitin 2050. E veçanta ishte, që paditës ishin ndërmjet të tjerësh edhe bujq në moshë të re. Dhe ndërsa në BE, kjo temë është në krye të rendit të ditës, në rajonin tonë nevoja për ndryshime është edhe më e ndjeshme. Pa dyshim, dhe këtu kthehemi përsëri tek globalizmi, prodhimet tona bujqësore si tani edhe në të ardhmen duhet të jenë nga njëra anë të vendit dhe të mos kenë përshkuar qindra e mijëra kilometra më parë. Nga ana tjetër ato duhet të jenë prodhuar përmes një bujqësie të qëndrueshme, një bujqësie, që përfill edhe interesat e brezave që vijnë.

Edhe nisma “Fridays for Future” vjen nga brezi ynë i ri. Ky është një fakt, që duhet të na gëzojë të gjithëve.

Prof. Gruda, biografia juaj është shumë e begatë, mbani shumë tituj, por shquheni veçanërisht për hortikulturën. Si qëndron Shqipëria karshi vendeve të tjera përsa i përket këtij segmenti?

Prof. Gruda: Jo keq. Mbas çoroditjes së madhe me fillesat e demokratizimit të vendit, që u shoqërua me ndenjën në vend dhe kthime mbrapa në kohën e tranzicionit, në vitet në vijim hortikultura shqiptare u çlodh dalëngadalë duke u shoqëruar me një rritje si në sipërfaqe ashtu edhe në prodhim. Unë e kam ndjekur me kujdes zhvillimin në këtë sektor, dhe kjo pasqyrohet thuajse në të gjithë treguesit, por për lehtësi interpretimi po ndalem vetëm te perimet. Prodhimi i perimeve në Shqipëri ka kohë, që e ka kapërcyer cakun e 1 milion tonëve. Sipas INSTAT, në vitin 2019, u prodhuan 1258012 tonë, duke shënuar një rritje vjetore prej 7,87 %, krahasuar me vitin 2018 (Figura 1), duke lënë pas Bosnje-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

Ecuria e prodhimi të perimeve në Shqipëri gjatë viteve të fundit, sipas INSTAT 2020

Shfrytëzimi racional i kushteve të përshtatshme klimato-tokësore mundësoi që p.sh. mënjollat (fidan është turqisht) e disa bimëve perimore tanimë të përdoren jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende të tjera fqinjë. Po ashtu edhe shalqiri e perime të tjera që njihen tanimë në Evropë, kryesisht atë lindore. Edhe praktika të tjera të përparuara, sikurse artisja e mënjollave të shartuara janë kthyer tanimë në standarde të prodhimit hortikulturor ne Shqipëri.

Pamje nga tregtimi i frutave dhe perimeve në Pazarin e Ri në Tiranë (Foto: Kika)

Si kudo edhe në këtë sektor ka vend për përmirësime, p.sh. lidhur me cilësinë dhe respektimit të normave evropiane si të prodhimit ashtu edhe të tregtimit.

Ju keni patur nderin të specializoheni jashtë vendit, duke studiuar në disa universitete nga më prestigjiozet në botë. Sigurisht që keni zënë shumë dije nga fusha juaj studimore. Përveç kësaj ju edhe vetë keni ligjëruar në këto universitete, që është një nder i madh, apo jo?

Prof. Gruda: Po është e vërtetë që kualifikimet e larta, si doktoratën ashtu edhe habilitacionin (shënim i redaktorit: shkalla më e lartë e kualifikimit pasuniversitar në disa vende evropiane) i kam fituar në Gjermani, ndërsa kërkimet shkencore janë shtrirë jo vetëm në Evropë, por edhe në universitete të vendeve të tjera, si p.sh. në SHBA e Kinë.

Ndihem shumë mirë edhe për mësimdhënien e deritashme në pesë universitete gjermane, gjë e cila nuk i ofrohet gjithkujt. Përmes Erasmus kam dhënë mësim edhe në Universitetin e Zagrebit dhe Universitetin Bujqësor të Athinës dhe nga bashkëpunimet ndërkombëtare edhe në disa Universitete në Kinë. Mësimdhënia jo vetëm ndihmon në sistemimin e dijeve, ajo mundëson edhe kontaktin me studentët, që për mua ka një vlerë të veçantë. Nga ana tjetër, shkëmbimi me ta ndikon deri diku që të mbetesh gjithmonë i ri. I jam miradijes fatit të mirë për këtë mundësi që mu krijua.

Mësimdhënie në Kinë

Ndihmesë të madhe keni treguar edhe me publikime shkencore anembanë globit, ku keni botuar mbi 260 botime shkencore, si dhe 25 libra e kapituj librash nga fushëveprimtaria juaj e gjerë. Mund të themi se kemi të bëjmë me një erudit të kalibrit të lartë shkencor?

Prof. Gruda: Botimet janë kurorëzimi i punës së shkencëtarit. Ato i paraqesin specialisteve të ngushtë të fushës, por disa herë edhe lexuesve më gjerë dijet e fituara nga një studim i kryer. Botimi i një artikulli, sidomos në revistat me impakt faktori, kalon nëpër sitat e imta të recensioneve dhe do shumë mund e djersë. Po kështu edhe botimi i një libri, që kërkon shumë kohë e këmbëngulje, përpikëri dhe aftësi përgjithësuese.

Megjithatë unë as edhe një herë nuk e kam parë numrin e botimeve si një objekt më vete, por si një detyrim ndaj lexuesit. Ndihem mirë kur shikoj se këto botime janë fryt i bashkëpunimit me shumë kolegë të nderuar nga disa vende të botës, dhe ndihem edhe më mirë, kur përmes tyre të kem arritur sadopak të ndihmoj studentët e mi në hapat e para të karrierës së tyre. Dhe nuk ka gjë më te bukur se sa të shikosh dikë të hedhë hapat e parë dhe këto të jenë edhe frut i punës tënde. Besoj, çdo prind arrin të më kuptojë.

Por le të kthehemi shkurt tek ne. Ne si popull kemi filluar të shkruajmë relativisht vonë. Edhe botimet kanë qenë jo në atë numër si të popujve të tjerë. Duket që kjo të ketë ndryshuar kohët e fundit, ky kemi parë edhe botime dinjitare. Megjithatë, duke folur në përgjithësi për botimin, tani është koha për të përmirësuar e rritur cilësinë dhe saktësinë.

Mendoj se puna shkencore dhe veprimtaria botuese shkencore është një udhëzues i mirë për të këto drejtime, dhe kjo jo vetëm për hartimet shkencore.

E di që njerëzit e shkencës nuk e dëshirojnë lavdërimin. Megjithatë larg modestisë, a mund të themi se ju jeni një shkencëtar ndërkombëtar që na bën krenar?

Prof. Gruda: Duke përdorur metaforën e mëparshme, gëzohem për çdo gur të murit, por më tepër do të gëzohesha nëse ky mur i shërben ose do i shërbejë sadopak shkencës.

Jeni fitues i shumë nderimeve e çmimeve kombëtare e ndërkombëtare. Lista e tyre është e gjatë, por ia lë vullnetit tuaj që të përmendni disa nga më të rëndësishmet.

Prof. Gruda: Për mua si shqiptar me banim e punë në Gjermani, mund të veçoj dy çmime: çmimi “Dr.-Heinrich-Bauer”, i Universitetit Teknik të Mynihut në Gjermani në vitin 2003 për rezultate të shkëlqyera shkencore dhe çmimi “Petrit Radovicka” i vitit 2017, nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë për botimin “Hortikultura – vështrim enciklopedik” në bashkautorësi me z. Andrea Shundi.

Disa ditë më parë ne njoftuam lexuesin për veprën e fundit që keni përfunduar. A mund të na thoni disa fjalë për të?

Prof. Gruda: Së bashku me disa kolegë nga institucione të ndryshme botërore arritëm të përfundojmë një punë rreth trevjeçare lidhur me selitjen e bimëve në mjedise pa tokë “Advances in horticultural soilless culture”, që u botua nga një shtëpi botuese me seli në Britaninë e madhe. Kjo ishte një ndërmarrje jo e thjeshtë, por që u kurorëzua me sukses, së paku me sa kam dëgjuar nga kolegët dhe mediat. Edhe industria e ka përcjellë pozitivisht (www.hortidaily.com/article/9296553/new-guide-on-soilless-culture-available/)

Për të interesuarit mund të shikohet pasqyra e lëndës si edhe disa mendime mbi këtë libër këtu (shënim i redaktorit).

Jemi në dijeni se jeni duke përgatitur një botim më të ri. Për çfarë bëhet fjalë. Cila është materia e tij?

Prof. Gruda: Me siguri, që Ju mendoni përgatitjet për botimin në shqip. Po, jemi duke punuar që prej muajsh me një grup autoresh brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe Kosovës për një vepër madhore për ushqimin, të ushqyerit dhe enogastronominë. Në qendër të kësaj pune është tradita shumë e pasur mbarëshqiptare, që edhe një herë dëshmon larminë dhe shumëllojshmërinë tonë, duke prurë njëherësh edhe plotësime nga disa fusha të shkencës.

Edhe grupi autorëve vjen nga fusha të ndryshme, por për këtë është më mirë të pyesni nismëtarin e kësaj, vepre, profesorin tim të nderuar Andrea Shundi, që ndonëse i ka kapërcyer të 85-at ende është shumë jetësor dhe i përkushtuar.

Le të kthehemi fare shkurt në fillimin e këtij bisedimi. Ne gjetëm një shkrim të shkurtër marrë nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë që tregon për një kumtesë Tuajën në forumin më të madh gjermanishtfolës për bimët mjekësore. Duke folur për zhvillimet në Shqipëri Ju e mbyllni këtë kumtesë me vargjet e Naim Frashërit. Mund të themi se kemi të bëjmë me një frymëzim gjeorgjik?

Prof. Gruda: Duket të jeni informuar shumë mirë. Megjithatë pyetja ime: Mendoni nga ana e Naim Frashërit, apo nga ana ime?

Nga të dy.

Prof. Gruda: Naim Frashëri, njihet mbi të gjitha për poemën “Bagëti e bujqësi” si patriot e luftëtar, si poet me dashuri të pafundme për atdheun që edhe ka himnizuar natyrën dhe bujqësinë shqiptare, pra padyshim jo vetëm si poet kombëtar, por edhe si një nga gjeorgjikët më të dëgjuar të kulturës e krijimtarisë shqiptare.

Arsyeja se pse unë zgjodha disa vargje të tij për t’i paraqitur në këtë tubim, ishte diçka tjetër. Vite më parë, në një projekt të Tempus-it shoqëroja presidentin e Zyrës së Bujqësisë dhe Ushqimit nga Gjermania, në Shqipëri. Vajza e tij kishte qenë më parë në Veri të Shqipërisë dhe i kishte treguar e mahnitur se nuk kishte parë as edhe një vend tjetër, ku drejtpërsëdrejti nga Alpet të zbriste në det. Unë zgjodha Jugun me pamjen mbresëlënëse të Llogarasë. Në lartësitë e Llogarasë mbas një pushimi të shkurtër, diku të fshehur në mes bimëve të tjera e çajit të malit gjejmë edhe një manushaqe fare të vockël, në lulëzim.

Ky çast për mua ishte shumë prekës. Prekës, se nuk e prisja, prekës edhe pse mu kujtuan vargjet e famshme të poetit tonë madh:

Manushaqe bukuroshe, Pse s’ngre kryete përpjetë?

Unë bëra një fotografi dhe kur po përgatitesha për kumtesën mendja më shkoj ta paraqisja edhe këtë foto, së bashku me këto vargje. Duke qenë se gjuha e folur në auditor ishte gjermanishtja, pyeta fillimisht albanologun e famshëm, të ndjerin z. Robert Elisie, atëherë banues në Gjermani, nëse ai ose dikush tjetër i kishte përkthyer këto vargje. Meqenëse nuk ishte kështu, mu desh t’i përktheja vete.

Sikundër paraqitet në shkrimin e cituar, vargjet “Veilchen, du schöne, warum hebst du nicht den Kopf?” janë edhe një metaforë poetike, që simbolizojnë Shqipërinë e vogël, që dalëngadalë po e “ngre kryet përpjetë”. Edhe zhvillimet e viteve të fundit në bujqësi, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë janë pozitive dhe me mbushin me optimizëm, ndonëse është ende shumë për të bërë.

Prof. Gruda edhe një herë suksese për zgjedhjen tuaj në Akademinë Georgofili dhe ju faleminderit për bisedën – ishte një kënaqësi e veçantë për mua.

Prof. Gruda: Ju faleminderit për ftesën, kënaqësia ishte e imja.

/Telegrafi/

Exit mobile version