Site icon Telegrafi

Prof. Abdullah Zymberi, lëvruesi i leksikografisë

Këtyre ditëve, Prof. Dr. Abdullah Zymberi, ka nxjerrë në dritë, fjalorin popullor me rreth 20000 fjalë, i cili paraqet një pasuri të rrallë gjuhësore, pasuri kjo, e cila i ishte lënë mëshirës së kohës dhe harresës së njeriut. Ishte pikërisht studiuesi i zellshëm, që e vuri në veprim tërë potencialin e tij krijues për të eksploruar këtë pasuri të heshtur dhe për t’i dhënë zë dhe fuqi një thesari leksikor, i cili tashmë është bërë pronë e mbarë gjuhësisë sonë. 

Ishte ky motivi që na shtyri të intervistojmë këtë studiues, ku do të fokusohemi për rëndësinë që ka leksikografia shqiptare dhe nevojën që ajo të pasurohet me fjalë të rralla të gjuhës shqipe, si një nga gjuhët më të vjetra në botë.

Prof. Zymberi duket se dalja në dritë e këtij fjalori është një thesar i çmuar për leksikografinë shqiptare. Sa vjet ju ka marrë hartimi i këtij fjalori!
40 vjet me radhë.

Cilat territore i keni përfshirë në këtë fjalor dhe për çka shquhen ato kryesisht. Dua të them, cila trevë është më e pasur me fjalë të rralla?
Terrenet i hulumtimeve tona leksikore janë: 1. Kosova. 2. Viset shqiptare në Mal të Zi. 3. Viset shqiptare në Maqedoni, me fjalë të tjera, atje ku flitet shqipja, atje është vjelë leksiku (fjalësi) shqip. Vështirë është të veçosh të mirën nga mirat, sepse secila trevë i ka të veçantat e veta, kështu në viset shqiptare të Malit Zi sistemi leksikor foljor është më i pasur, besa do të thoshim është më i vjetri, prej andej siç dihet, na pat dalë Buzuku ynë me “Mesharin” e tij.
Në Maqedoni do të veçonim rrethin e Ohrit, të Shkupit dhe të Tetovës, sepse të veçantat e leksikut të atjeshëm janë rrallësi për Fjalorin e Shqipes. Në Kosovë do të veçonim shtresën leksikore të Vërmicës së Prizrenit, të Opojës, dhe të Burojës së Drenicës, sepse këto treva i kanë ruajtur do rrallësi leksikore, të cilat janë shtylla mbajtëse të Fjalorit të Shqipes. Do përmendur këtu atë shtresën leksikore që del me prapashtesën përbuzëse sh, si nxifsh, nuksh, shtremsh, shtrydhsh, (koprrac),llupsh, ngelsh e të tjera. Kjo shtresë leksikore për fat të keq i mungon tërësisht Fjalorit të Gjuhës Shqipe

Sa herë që flitet për fjalët popullore, shpesh ka hezitime se mos vallë këto shprehje janë lokalizma. Cili është mendimi juaj për vlerën e tyre?
Jo, sepse ka lokalizma që janë tepër të mira. Rrojnë atje (në të folmet popullore) fjalë me burim të shqipes, të cilat Fjalori i Shqipes nuk i ka, paj, vetëm lokalizmat kur të normëzohen, bëhen pronë e leksikut të përgjithshëm të shqipes.

Cilat janë karakteristikat e fjalëve, që keni përfshirë në fjalor dhe trajtat që i bëjnë ato shprehje me kuptim përmbajtjesor?
Terreni gjithçka ka, ka atje leksema, që dalin me parashteso-prapashtesim, të cilat janë risi për sistemin leksikor të shqipes.

Profesor, a e pengon standardi i gjuhës integrimin e pasurisë leksikore të fjalëve popullore, apo e begaton atë?
Vetëm se e pasuron.

Sigurisht është detyrë e lëvruesve të gjuhës shqipe që të riaktivizojnë gjithë pasurinë e tyre mendore në mënyrë që t’i ringjallin fjalët e rralla dhe të ashtuquajtura të harruara “të vdekura” dhe t’u japin atyre jetë në leksikun tonë.
Detyrë jona e të gjithë neve është që ta mbledhim dhe ta ruajmë leksikun e shqipes në gjithanësinë e tij. Barrë jona, veçmas e brezit të ri është që ta ruajë dhe ta pasurojë Fjalorin e Shqipes me fjalë të burimit të saj.

Mbase, është detyrë e ngutshme që njerëzit kompetent, në këtë rast studiuesit, siç jeni ju, të mbledhin fjalët e rralla nga goja e popullit dhe këto shprehje t’i popullarizojnë duke pasuruar fjalorin tonë?
Gjetja e fjalës popullore është pasuri e çmueshme për shqipen mbar.

A mund të veçoni ndonjë komponentë që përbën bazamentin shkencor të hartimit të këtij fjalori kaq voluminoz dhe kaq përmbajtjesor e dobiprurës?
Populli është bazament i gjithçkajes, sidomos i fjalës së tij.

A mund të na tregoni diçka më saktë lidhur me kriteret e ndërtimit strukturoro-didaktik dhe, cila ishte metodologjia e punës tuaj për nxjerrjen në dritë të këtij fjalori?
Është me rëndësi të përmendet se çdo fjalë e shënuar në këtë Fjalor është krahasuar me Fjalorin e Gjuhës Shqipe, domethënë s’kemi guxuar të shënojmë asnjë fjalë në Fjalorin tonë, nëse e ka Fjalori i Shqipes për mendimin tonë ky është parimi kryesor.

Ju, ndonëse keni sjellë më së 20 mijë fjalë të reja, megjithatë e mbroni me forcë standardin e gjuhës shqipe…
Po, Standardi duhet të ruhet.

Ka zëra, të cilët thonë se ka ardhur koha për një kongres të drejtshkrimit. A e ndani ju këtë mendim?
Tash për tash jo.

Megjithatë, gjuha është një organ i gjallë, dhe meqë është kështu, sigurisht se gjatë rrugëtimit të saj transformohet, pasurohet duke hulumtuar vazhdimisht fjalë të reja me taban të shqipes së hershme.
Fjalët e reja nuk duhet të lihen në harresë, ato duhet të ruhen prej secilit nesh, në mënyrë që fjalësi i shqipes të pasurohet nga dita në me to.

Gjuha shqipe, është ndër gjuhët më të vjetra në botë. Sigurisht, duke qenë e tillë, i ka dhënë gjuhëve të huaja shumë shprehje, por shpesh edhe është atakuar nga shprehjet e gjuhëve tjera. Cili është mendimi juaj për këtë?
Ndikimet ndëleksikore ndërmjet gjuhëve marrëse-dhënëse janë domosdo kohe, sepse rrethanat shoqërore, veçmas ato të sotmet e kushtëzojnë një gjë të tillë.

Leksikografia, sipas studiuesit J.Thoma, është fusha më e hershme dhe më e pasur e gjuhësisë shqipe. Sipas tij, ajo fillon qysh me “Fjalorin latinisht-shqip” të Frang Bardhit (1635) dhe se deri më sot, na ka sjellë mbi 500 fjalorë të shqipes. Por, kjo pasuri e madhe leksikore, a ka nevojë ta ketë një fjalor unik që do të përfshinte tërë këtë pasuri leksikore e frazeologjike të gjuhës shqipe?
E mira e më së mirës do të ishte që të vilet leksiku popullor i të gjitha trevave shqipfolëse, në mënyrë që të hartohej fjalori popullor.

Profesor, ju e përcillni në vijimësi dhe me pedanteri tërë opusin letrar shqiptar dhe sidomos prurjet nga fusha e letërsisë, më konkretisht nga proza jonë, e cila ngërthen në vetë shprehje nga vokabulari i popullit. Në këtë kontekst, ju keni lexuar vëmendshëm romanin e parë të Ilir Shaqirit. Cili është vlerësimi juaj për këtë roman, i cili ka një temë interesante dhe ngërthen në vetë shprehje të rralla, por tepër të gjetura?
Këtyre ditëve Ilir Shaqiri na u sipërfaq jo si artist muzike, por si shkrimtar. Me romanin e tij “Tan Temali” e befason lexuesin, duke e formësuar atë bukurisht të rrallë. E bën atë ndër romanet më të mira në letrat shqipe. Aty lexuesi ndesh në fjalë të mira, në thënie të mrekullueshme dhe në pasuese që e rrëqethin atë.
Ky roman, me veçantit e tij, do të hyjë në letërsinë shqipe dhe do ta zërë vendin ballësor atje për një kohë të gjatë. Për mendimin tonë romani “Tan Temali” do të bëjë kthesa të mëdha në letërsinë shqipe, sepse me ngjarjet dhe me personazhet e tij ka krijuar të veçanta të cilat e lartësojnë atë artistikisht. Leksiku i përdorur te ky roman duhet të bëhet, sipas nesh, pronë e Fjalorit të Gjuhës Shqipe. Kjo shtresë leksikore është më se e mbëhishme (e nevojshme) për leksikografinë dhe leksikologjinë shqiptare!

Duke ju falënderuar për shpjegimet tuaja jemi kureshtarë nëse do të vazhdoni me mbledhjen edhe të fjalëve të tjera, për të na dhuruar edhe vëllimin e dytë të këtij fjalori?
Duhet të presim, me padurim të presim!

Edhe një herë ju falënderojmë për intervistën dhe ju urojmë suksese në punën tuaj sa fisnike, poaq edhe të dobishme.
Edhe ne Ju falënderojmë deri në lartësi qiejsh. /Telegrafi/

Exit mobile version