Problemet në infrastrukturën rrugore vazhdojnë të jenë ndër shqetësimet kryesore që raportohen nga qytetarët në platformën Ndreqe.com.
Një gjë e tillë ka ndodhur edhe së fundmi, ky është raportuar për një gropë në Rrugën “Nikollë Kaçorri”, rrugë kjo e cila gjendet ne Fshatin Firzë të komunës së Gjakovës.
Ndërsa problem tjetër i qytetarëve të Gjakovës që është raportuar në Ndreqe.com është edhe dëmtimi i trotuarit në afërsi të Rrugës “Selman Riza”.
Rrugë e lartpërmendur është e frekuentuar mjaft shumë nga makinat dhe qytetarët, duke paraqitur kështu rrezik të vazhdueshëm për të gjithë ata që këtë pjesë e frekuentojnë në këmbë, sepse në pamundësi të ecjes në trotuar qytetarët janë të detyruar që të ecin në rrugë.
Për të kuptuar më shumë se a planifikon Komuna e Gjakovës të rregullojë këto dëmtime infrastrukturore, Telegrafi ka kontaktuar me Zyrën për Informim në Komunën e Gjakovës të cilët thonë se prishjet do të rregullohen sipas planit që ata kanë hartuar.
“Të gjitha prishjet do të rregullohen sipas planit dinamik në kuadër të kodit buxhetor “Sanimi i Rrugëve”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Qytetarët po vazhdojnë të raportojnë për problemet e tyre në platformën “Ndreqe.com”, ku më pas po intervenohet nga organet përgjegjëse. /Telegrafi/