Site icon Telegrafi

Prizreni shqyrton vazhdimin e projektit social për fëmijët në situatë rruge dhe të cenueshëm

Foto ilustrim nga FB / Qendra Ditore e Fëmijëve – Prizren

Drejtuesit e Komunës së Prizrenit kanë bërë të ditur se po shqyrtohen mundësitë për vazhdimin e projektit për ofrimin e shërbimeve të specializuara për fëmijët në situatë rruge dhe fëmijët e cenueshëm.

Kryetari i Komunës, Shaqir Totaj ka njoftuar se ka takuar shefin e zyrës së “Terre des hommes” në Kosovë, Pajtim Zeqiri, me të cilin ka diskutuar për mundësitë e vazhdimit të këtij projekti, që po zbatohet në Qendrën për Mbrojtjen e Fëmijëve në Nashec, (ish Pushimorja).

“Kjo qendër, si një prej projekteve më të rëndësishme sociale në Komunën e Prizrenit, ka ofruar një gamë të gjerë shërbimesh, duke përfshirë mbështetje psikologjike, edukative dhe shërbime të tjera thelbësore”, ka bërë të ditur Totaj, raporton Telegrafi.

Komuna e Prizrenit në shtator të vitit 2023 pat nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me organizatën “Terre des hommes”, për ofrimin e shërbimeve të specializuara për fëmijët në situatë rruge, shërbime emergjente për fëmijët të cilët gjenden në rrezikshmëri të lartë dhe për fëmijët viktima të abuzimit seksual.

Ndërkaq në tetor të vitit 2023, është hapur “Qendra për mbrojtjen dhe fuqizimin e fëmijëve të cenueshëm” në Nashec (ish Pushimorja), si rezultat i Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes Komunës së Prizrenit dhe Organizatës “Terre des Hommes”, me mbështetje të Ambasadës Japoneze në Kosovë, Bashkimit Evropian dhe UNICEF-it, raporton Telegrafi.

Sipas këtij dakordimi qendra në fjalë ka ofruar shërbime të ndryshme përfshirë këshillime psikologjike, aktivitete psiko-sociale e fuqizim ekonomik për fëmijët e cenueshëm dhe familjet e tyre. /Telegrafi/

 

Exit mobile version