Telegrafi

Prizreni lidh marrëveshje me Porton për bashkëpunim në turizëm, ekonomi dhe kulturë

Drejtuesit e Komunës së Prizrenit dhe ata të Portos nga Portugalia kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi në saje të cilit palët zotohen se do të nxisin, inkurajojnë dhe mbështesin bashkëpunimin në fushën e turizmit, të ekonomisë dhe të kulturës.

Autoritetet e këtyre dy komunave janë shprehur entuziastë sa i përket fillimit të këtij rrugëtimi, që sipas tyre do të sjellë rezultate në vitet në vijim.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka theksuar se më parë ka pasur rastin që të vizitojë Porton dhe të përjetojë mikpritjen e portugezëve.

“Jam i bindur se komunikimi dhe bashkëpunimi ynë në të ardhmen do ti hap dyert për projekte të shumta të mira dhe për gjëra shumë të mira. Kemi shumë ngjashmëri, kemi qytete historike, me shumë vlera të trashëguara, me shumë potenciale e biznese, me dyqane të vogla, me potencial për turizëm dhe për këtë arsye jam i bindur se me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit do të hapim dyert që të ndodhin shumë gjëra të mira dhe të sjellim dobi për të dyja qytetet”, ka thënë Totaj, raporton Telegrafi.

Ndërkaq kryetari i Komunës së Portos, Rui Moreira ka theksuar se pritjet e tij janë që bashkëpunimi me Prizrenin të jetë i frytshëm, meqë të dyja qytetet kanë shumë vlera të përbashkëta.
“Trashëgimia kulturore duhet të jetë në shërbim të së ardhmes.

Në të njëjtën kohë kemi edhe vlera tjera si kultura, sporti, turizmi dhe ekonomia”, ka thënë Moreira, duke shtuar se shtyllat kryesore të qeverisjes dhe zhvillimit social të Portos janë ekonomia, kultura dhe turizmi dhe se përvojat e dijen në këtë aspekt janë të gatshëm që ti ndajnë me Prizrenin.

“Ky është vetëm fillimi dhe shpresojmë që rezultatet do të vijnë në vitet në vijim. Ato natyrisht do të varen nga përkushtimi ynë dhe të gjithë ne duhet të përpiqemi që ta jetësojmë këtë marrëveshje me vepra”, është shprehur Moreira.

Delegacioni portugez i përbërë nga sektorë të ndryshëm ka vizituar edhe Qendrën Historike të Prizrenit dhe monumentet e trashëgimisë kulturore.