Site icon Telegrafi

Prizreni i jep lamtumirën Mexhit Çurdinës, legjendës së sporteve në natyrë  

Mexhit Çurdina, ikona e bunarxhinjve (Foto: Bunarfest / FB)

Veterani prizrenas i sporteve, Mexhit Çurdina ka ndërruar jetë në moshën 80 vjeçare dhe është varrosur të mërkurën në Prizren. Gjatë ditës institucione e organizata të ndryshme kanë përkujtuar angazhimet e tij në sportet në natyrë.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka theksuar se Çurdina ka qenë i pasionuar ndaj sporteve ekstreme, dhe se ka kaluar një jetë të plotë në natyrë duke u angazhuar në aktivitete si automobilizëm, motokros, skijim, alpinizëm dhe shumë të tjera.

“Edhe pse i shtyrë në moshë, ai vazhdoi të organizonte gara në nivel lokal dhe t’i promovonte sportet ekstreme si dhe ka lënë pas një trashëgimi të pazëvendësueshme në fushën e sporteve motorike e natyrës”, është shprehur Totaj, raporton Telegrafi.

Shoqata e bjeshkatarëve “Sharri” ka theksuar se anëtari i tyre dhe veterani i sporteve ka qenë njeri me një varg mirënjohjesh në të gjitha kohërat për sporte dhe humanitet.

“Ai pothuaj tërë jetën e tij e kaloi në natyrë duke u angazhuar ne aktivitete si, automobilizëm, motokros, skijim, alpinizëm, not, peshkatari e çka jo tjetër”, thuhet në përkujtimin e ShB “Sharri”.

Ndërkaq Shoqata e bjeshkatarëve “Haxhi Beda”,  Çurdinën e ka cilësuar si njeri me 9 zemra.

“Do të kujtohet si bjeshkatari që sfidonte malet, motoristi që shpejtësinë e kishte erë, skitari që fluturonte mbi dëborë, notari që sfidonte valët pa frikë, një shpirt i lirë, një zjarr që nuk shuhej, ai që nuk lodhej kurrë”, thuhet në përkujtimin e ShB “Haxhi Beda”, raporton Telegrafi.

Udhërrëfyesi i terreneve malore, Edis Krusha e ka cilësuar atë si legjendë të Prizrenit, i cili nuk ka hezituar të merret me sporte ekstreme edhe në moshën e pensionimit.

Ndërkaq Bunarfesti përmes një postimi ka shprehur bindjen se Çurdina do të kujtohet gjithmonë “si ikonë e bunarxhinjve”. /Telegrafi/

 

Exit mobile version