Site icon Telegrafi

Prizreni dhe autoritetet mjedisore synojnë zhvillimin e qëndrueshëm të Parkut Kombëtar “Sharri”

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, të martën, ka takuar zyrtarët e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, të Administratës së Parkut Kombëtar “Sharri” dhe të sektorit për Mbikëqyrje dhe Kontroll, për të diskutuar mbi bashkëpunimin në procesin e hartimit të Planit Hapësinor dhe Planit Menaxhues për këtë zonë që gëzon mbrojtje ligjore.

Sipas njoftimit të Komunës së Prizrenit një nga temat boshte të takimit ka qenë edhe ndërtimi i një qendre informative në Prevallë, në prona të Komunës. Kjo qendër do të shërbente si pikë referimi për vizitorët dhe do të kontribuonte në edukimin dhe ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit, raporton Telegrafi.

Një tjetër çështje me rëndësi që është shqyrtuar kanë qenë masat për ngritjen e vetëdijes për ruajtjen e pasurisë natyrore të Parkut Kombëtar “Sharri” dhe përmirësimi i shërbimeve për vizitorët, që sipas njoftimit synon mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Parkut të Kombëtar “Sharri”.

Përmes këtyre iniciativave, synohet jo vetëm mbrojtja e ekosistemit, por edhe zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit në këtë zonë të pasur me biodiversitet, raporton Telegrafi.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 1986 me vendim të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, disa nga hapësirat me vlera të veçanta janë shpallur si Park Kombëtar me emërtimin “Mali Sharr”, dhe se që nga ajo kohë është provuar që sipërfaqja e cila shtrihet në kuadër të parkut, të trajtohet në mënyrën e cila siguron përmbushjen e kritereve të përcaktuara me legjislacion dhe plotësimin e kërkesave të caktuara me marrëveshje dhe rregulla ndërkombëtare. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version