Edicioni i tretë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur “Prizren Fest” po shkon drejt finales, me shfaqje cilësore ndërkombëtare.
Ndërkohë bashkëpunimi teatror Kosovë-Shqipëri është shtjelluar në konferencën dedikuar kësaj teme.
Ripërpunimi i historisë së Medeas, i transferuar në një kontekst bashkëkohor është prezantuar në monodramën “Burka e Medeas” nga Greqia, në oborrin e Teqesë së Halvetive, duke ofruar për publikun e pranishëm një atmosferë të veçantë në kufijtë e shpirtërores, raporton Telegrafi.
“Një shfaqje e bazuar mbi mitin e Medeas, është ndërtuar rreth idesë së transformimeve të vazhdueshme që pëson fytyra femërore për të mbijetuar në një botë patriarkale dhe të huaj. Ndjekim fytyrën e Medeas që nga “edukimi burrëror” i saj nga i ati e deri te braktisja e saj nga i shoqi në një vend të huaj dhe fokusohet në cenueshmërinë e saj në një bote ku megjithëse e përbuz atë, gjithashtu dëshiron ta ndryshojë”, thuhet në njoftimin e festivalit.
Në skenën e Teatrit të Qytetit të Prizrenit “Bekim Fehmiu” është prezantuar produksioni “Sarajevski Ratni Teatar” nga Bosnja dhe Hercegovina me shfaqjen “Tramvaji i quajtur dëshirë”, raporton Telegrafi.
“E gjithë loja e aktorëve ishte e vendosur në një trampolinë në mes të skenës e cila funksiononte shumë mirë. Një shfaqje që tek publiku solli përplasjen mes fuqisë dhe pafuqisë, të vërtetës dhe gënjeshtrës, moralit, butësisë dhe mizorisë. “Tramvaji i quajtur dëshirë” është një tekst për njerëzit në një pikë kthese. Për ata që arrijnë në kufij dhe për ata që kanë kapërcyer kufijtë”, thuhet në njoftimin e festivalit.
Ndërkaq me praninë e aktorëve, producentëve, udhëheqësve të teatrove komunale, dhe udhëheqësve të festivaleve të ndryshme është mbajtur edhe konferenca teatrore “Bashkëpunimi teatror në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë”.
Në këtë konferencë, sipas njoftimit, është diskutuar në veçanti për Fondin e Përbashkët Teatror Shqipëri – Kosovë, nisur nga iniciativa e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit Kombëtar të Shqipërisë në qershor të vitit 2023, nga një marrëveshje e nënshkruar për bashkëpunim teatror në mes të ministrave të kulturës së dy shteteve.
Kjo marrëveshje, sipas njoftimit, krijon një platformë të mirë dhe të munguar për hapjen e mundësive të bashkëpunimit në mes të teatrove dhe artistëve nga të dyja shtetet, duke përfshirë këtu bashkëprodhimet, shkëmbimet e produksioneve, ndërkombëtarizimin e teatrit shqiptar në përgjithësi si dhe shkëmbimin e eksperiencave, raporton Telegrafi.
“Marrëveshja në fjalë ka filluar të zbatohet në segmente të caktuara dhe është në fazën përfundimtare edhe të realizimit të Fondit të Përbashkët Teatror në mes të dy vendeve. Veçmas shtjellimit të rëndësisë së kësaj platforme, pra të zbatimit të marrëveshjes dhe fondit, në këtë konferencë u diskutuan edhe tema tjera të rëndësishme për të ardhmen e teatrove si ato lokale ashtu edhe skenës së pavarur teatrore, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e festivalit.
Edicioni i tretë i “Prizren Fest” mbyllet të dielën mbrëma. /Telegrafi/