Telegrafi

‘Privilegji i bukurisë’: Njerëzit e bukur konsiderohen më të besueshëm, konfirmon hulumtimi

‘Privilegji i bukurisë’ është një term që interneti e ka krijuar për të përshkruar përfitimet që vijnë me përshtatjen ndaj idealeve të bukurisë së shoqërisë

Ne jetojmë në një shoqëri deri diku sipërfaqësore dhe të fiksuar pas pamjes, me një problem serioz kur bëhet fjalë për cilësitë që konsiderohen më të rëndësishme.

Të gjithë i kemi parë trendet në TikTok. Na duhet të kemi fytyrë simetrike, buzë të plota, sy të mëdhenj, qerpikë të gjatë, flokë të gjata dhe të bukura dhe forma trupore (por kujdes, vetëm në vendet e duhura) ndërkohë që barku duhet të jetë i sheshtë. Dhe për ata që përmbushin disa nga këto “ideale” ndiejnë përfitimet e të ashtuquajturit “privilegj i bukurisë”, thonë studimet.

Këto përfitime shpesh kalojnë pa u vënë re, qoftë pijet falas herë pas here, transporti, hyrja në klube, ose thjesht një derë që hapet për ta.

Njerëzit e bukur (sipas standardeve shoqërore) perceptohen si më të zgjuar, më të qeshur, më të shoqërueshëm, më të shëndetshëm dhe më të suksesshëm. Kjo i vendos ata në një avantazh në punësim, në krijimin e miqësive dhe në trajtimin me respektin bazik njerëzor.

Si ndikon ‘privilegji i bukurisë’ te besimi?

Bukuria nuk është, siç shpesh mendohet, “në syrin e shikuesit”, por ndjek rregulla të caktuara dhe të parashikueshme. Simetria dhe përmasat luajnë një rol të rëndësishëm dhe megjithëse kultura dhe normat formojnë perceptimin tonë të bukurisë, ka një marrëveshje të vazhdueshme midis njerëzve për atë që konsiderohet e bukur.

Tregu i bukurisë ka qenë në rritje të vazhdueshme, duke arritur 430 miliardë dollarë të ardhura në vitin 2023, sipas një raporti të fundit nga “McKinsey” (kompani konsultimi në rang global). Ky trend për një pamje të përsosur është nxitur nga ndikimi i fytyrave perfekte të shfaqura në rrjetet sociale dhe të përmirësuara nga procesimi i imazhit dhe filterat.

Në tregun e ashpër të punës së sotme, avantazhet ekonomike të bukurisë janë të padiskutueshme. Studime të shumta kanë treguar se individët tërheqës përfitojnë nga një bonus bukurie dhe fitojnë paga mesatarisht më të larta.

Disa profesione me pagesë të lartë janë të ndërtuara rreth bukurisë (siç është show business-i). Individët e bukur pritet të duken më inteligjentë dhe mendohet të jenë liderë më të mirë, çka ndikon në karrierën e tyre.

Njerëzit e perceptuar si të bukur kanë më shumë gjasa të përfitojnë nga besimi i njerëzve, gjë që e bën më të lehtë për ta të promovohen ose të arrijnë marrëveshje biznesi. Ideja është që individët që duken më mirë mendohet të jenë më të shëndetshëm ose/dhe të kenë pasur më shumë ndërveprime pozitive shoqërore në të kaluarën e tyre dhe kjo mund të ndikojë në besueshmërinë e tyre.

Por a është kjo teori e vërtetë?

Në një studim të kohëve të fundit, studiuesit zhvilluan një eksperiment për të zbuluar nëse njerëzit e bukur janë në të vërtetë më të besueshëm. Studimi përfshiu 357 vullnetarë dhe nisi në Paris në tetor 2019. Pjesëmarrësit u ndanë në grupe dhe luajtën një lojë ku disa duhej të besonin te të tjerët për të fituar para reale.

Në fund, fotot e pjesëmarrësve u treguan tek një grup tjetër njerëzish në Lyon, të cilët u kërkuan të parashikojnë besueshmërinë e tyre bazuar te pamja e jashtme. Një grup i tretë vlerësoi se sa të bukur i konsideronin këta njerëz.

Rezultatet treguan se njerëzit e bukur konsideroheshin më të besueshëm, por në realitet, bukuria nuk kishte lidhje me besueshmërinë e tyre, citon Anabel.

“Privilegji i bukurisë” është i pranishëm dhe ndikon në mënyrën se si shoqëria i percepton dhe trajton individët, por nuk duhet të harrojmë se vlerat dhe personaliteti janë ato që përcaktojnë cilësinë e vërtetë të një personi. /Telegrafi/